Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka zhvilluar sot një takim të rëndësishëm me Jeremy Long, zëvendësdrejtor në Zyrën për Çështjet e Evropës Qendrore në Departamentin Amerikan të Shtetit.

Rama bëri të ditur se në takim ka prezantuar vizionin e Prishtinës për katër vitet e ardhshme, duke vënë theksin te sfidat aktuale që, sipas tij, po shkakton Qeveria e Kosovës përmes bllokimit të vazhdueshëm të buxhetit të kryeqytetit.


Ai tha se bisedimet u fokusuan edhe te mundësitë për tërheqjen e investimeve amerikane, veçanërisht në kuadër të përgatitjeve për Lojërat Mesdhetare 2030.

Sipas Ramës, energjetika alternative dhe projektet e mëdha zhvillimore përbëjnë fusha ku bashkëpunimi me investitorët amerikanë mund të sjellë përfitime konkrete.

Rama njoftoi gjithashtu se së shpejti komuna do të organizojë një konferencë të posaçme për të prezantuar mundësitë e reja të investimeve në Prishtinë, me synimin për të krijuar partneritete të reja ndërkombëtare.