Kryetari aktual i Prishtinës, Përparim Rama, në një intervistë për “Përballje Podcast” me kryeredaktorin Muhamet Hajrullahun, ka folur hapur për kundërshtarët e tij politikë në garën për udhëheqjen e kryeqytetit, duke dhënë komente të drejtpërdrejta për secilin prej tyre.

Zgjedhjet lokale do të mbahen më 12 tetor, ndërsa gara për Prishtinën pritet të jetë veçanërisht e tensionuar dhe interesante.


Sipas Ramës, kandidati nga LVV, Hajrullah Çeku, nuk e dinë as çfarë i duhet një qyteti.

"Është një demagog politik, domethënë që që tregon që e ka blloku dhe e ka sabotu kryeqytetin tash e katër vite. Unë po them fillimisht ja kam ofruar të gjitha mundësitë Ministrisë të Kulturës dhe Sportit, çdo kërkesë që e kanë pasë, i kemi ofruar hapësira, i kemi ofruar mundësi për bashkëpunim, për shembull e kanë mbyllë teatrin, janë lutur që ne t'ia gjejmë një hapësirë, dhe ia kemi gjetur hapësirën,e  kemi shtyrë procesin përpara. Por ai domethënë është një bllokues total, një gënjeshtar total, një djalë që unë nuk kam taku dikë më demagog se ai,  edhe  që absolutisht nuk ka lidhje se çka i duhet një qyteti për me qenë, për me ekzistu, e lërë më me lulëzu", tha ai.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama në "Përballje Podcast" Foto: Ridvan Slivova

Ndërsa, për kandidatin e PDK-së, Uran Ismaili, ai tha se fillimisht kanë bashkëqeverisur, dhe i ka ofruar bashkëpunim në të gjitha pjesët, por më pasi ai ka vendosur me i blloku proceset.

"Uran Ismaili ka vendosë me sabotu asamblenë, domethënë me i blloku proceset. Dhe ka vendos me u tërhek prej qeverisjes edhe ka dalë në anën kur i ka pas në dorë këto 'Pastrimin', për shembull, me fillu sabotimin e pastrimit në kryeqytet, edhe tash mas katër vitesh, me i dalë gjumi. Për shembull, kur katër vjet nuk bënë asgjë tjetër, përveç që saboton proceset në kryeqytet, me thanë që unë e du Prishtinën".

"Nuk i hajnë 'foret' prishtinasit. E, kështu që ne do të vazhdojmë qeverisjen edhe katër vitet e ardhshme", potencoi Rama.

Për Besa Shahini nga PSD, Rama tha se nuk e ka problem bashkëpunimin me të, pasi që ka shumë vite që e njeh.

https://youtube.com/shorts/wchlwTVSZOg?feature=shared

"Ajo është e fokusume në aspektin e arsimit, domethënë edhe aty mendoj që e ka edhe vendin në drejtoritë e Arsimit, për shembull. Mirëpo, po them, nuk është që mendoj që e kupton kryeqytetin me të gjitha dimensionet të cilat duhet me e kuptu kryeqytetin për me gjetë zgjidhje, mirëpo platforma e saj duket që është pothuajse e njëjtë me timen", nënvizoi ai.

Për kandidatin nga AAK, Bekë Berisha, ai pohoi se nuk e ka njohur kurrë, por që i duket si një djalë i mirë.

"Nuk më duket që po merret me kryeqytet, po merret me gjana tjera, a jam i fortë, a s'jam i fortë", tha ai.

Si përfundim, Rama u shpreh se fitoren në Prishtinë do ta marrë pa balotazh.

"Besoj që ka me shku pa balatoazh. Unë e di dhe e ndjej. Çdo ditë kur flas me qytetarët, kur eci rrugëve ,projektet tona të cilat ne i kemi premtu, tash shumica prej tyre veç janë realizu, një numër i madh është në proces e sipër, një numër tjetër janë të gatshëm për tash katërvjeçarin tjetër për me ec përpara", pohoi Rama.

Zgjedhjet lokale do të mbahen më 12 tetor, ndërsa fushata zgjedhore pritet të fillojë më 13 shtator./Telegrafi/