LAJMI I FUNDIT:

Raka: Deri më 22 prill mund të kemi 570 raste, ose në rastin më të keq 5 mijë të infektuar me COVID-19

Raka: Deri më 22 prill mund të kemi 570 raste, ose në rastin më të keq 5 mijë të infektuar me COVID-19

Mikrobiologu Lul Raka, paralajmëron se lakorja e numrit të të infektuarve me Covid-19 në vendin tonë, pritet të rritet gjatë javëve në vijim.

Sipas projeksioneve të përafërta bazuar në trendin e rritjes së rasteve, në versionin më të mirë të mundshëm, deri më 22 prill mund të regjistrohen rreth 570 raste, ndërkaq në versionin më të keq deri në 5000 raste të të prekurve me Covid-19.

“Një projeksion që e ka bërë një ekspert kosovar, Merkur Beqiri e sipas tij në versionin më të mirë të mundshëm deri më 22 prill do të jenë 570 raste … Në versionin më të keq të mundshëm është mbi 5 mijë”, theksoi Raka.


Ai bënë thirrje për kujdese të shtuar gjatë ditëve në vijim.

“Kosova tash është në fazën e shpërndarjes së virusit në komunitet, dmth pas fazës fillestare që ka qenë identifikimi dhe konfirmimi i rasteve të para të cilat kanë ardhur nga jashtë, pastaj ka qenë rundi i parë i shtrirjes në komunitet, familje edhe kontakt të ngushtë kurse tashmë kemi të bëjmë me shtrirjen tjetër, në rrethin e tretë si i themi ne, të përhapjes në komunitet. Domethënë numrat rriten në mënyrë eksponenciale. Ne kemi qarkulluar edhe e kemi përhapur virusin. Ato dy javët kanë qenë kritike për të pasur kujdes edhe për të mos e nënçmuar virusin, për përhapjen e virusit. Sjellja e tyre në atë kohë në të cilën më së shumti kanë mund të ndikojnë në lakore, tash shihet rezultati, ditëve edhe javëve në vijim”, theksoi ai.

“Lakorja ka me ardhur duke u rrit edhe tash lakoren ka me vizatu virusi, ne mund të ndikojmë më pak. Momentalisht Kosova e ka pasur lakoren e sheshtë, nuk e ka pasur lakoren vertikale e që është lajm shumë i mirë. Mirëpo kjo assesi nuk guxon t’i nxit njerëzit që të dalin pa kontroll jashtë sepse nga të dhënat e fundit është konstatu, edhe në SHBA, që ekziston një përqindje jashtëzakonisht e madhe e njerëzve të cilët e kanë infeksionin, janë të sëmurë por s’kanë kurrfarë shenje apo simptome …këto janë benzina e ngritjes së rasteve të reja”, tha Raka për rtv21.

“Ministria e Shëndetësisë e as Instituti, fatkeqësisht, nuk i kanë të dhënat se sa njerëz në Kosovë janë me sëmundje kronike….nëse nuk e ke këtë parametër atëherë kjo kategori që është më e rrezikuara nuk ka me ta dhënë pasqyrën reale. Deri tash të gjitha pandemitë që kanë ndodh në botë në 30 vjetët e fundit nuk ja kanë qëllu asaj lakores për skenarin më të errët të mundshëm. Në asnjë sëmundje s’ka dalë, as në Ebola, as në gripin e shpendëve, as derrit nuk ka dalë…realiteti është diku në mes…”, tha ai.