Një nga rafineritë më të mëdha të naftës në Rusi është detyruar të ndërpresë plotësisht punën pas një sulmi me dron, duke shkaktuar goditje të rëndësishme në kapacitetet energjetike të vendit.

Rafineria Syzran, e cila ndodhet në rajonin e Samaras dhe konsiderohet një objekt strategjik për industrinë ruse të naftës, pezulloi të gjitha operacionet pasi u godit nga një sulm i forcave ukrainase.


Sipas agjencisë Reuters, më 5 dhjetor dronët që goditën objektin shkaktuan dëme serioze në njësinë kryesore të përpunimit të naftës - pjesën më të rëndësishme të rafinerisë, e cila më herët ishte shënjestruar disa herë nga sulme të ngjashme.

Pas këtij sulmi, rafineria është praktikisht jashtë funksionit. Ekspertët thonë se dëmet janë aq të mëdha sa që rikthimi i plotë i operacioneve mund të kërkojë deri në një muaj punime intensive, nëse jo më shumë, raporton reuters.

Rafineria Syzran përpunon afërsisht 9 milionë ton naftë çdo vit, duke qenë një prej burimeve kryesore të furnizimit me karburant për sektorë të ndryshëm të ekonomisë ruse, përfshirë edhe ushtrinë. Mbyllja e saj e papritur pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në zinxhirët e furnizimit dhe në kapacitetet logjistike të forcave ruse në terren.

Ky sulm është pjesë e një fushate më të gjerë të Ukrainës për të goditur infrastrukturën energjetike dhe industriale të Rusisë, me qëllim dobësimin e aftësive të saj ushtarake dhe ekonomike. Situata pritet të mbetet e tensionuar ndërsa sulmet ndaj objekteve të tilla strategjike po bëhen gjithnjë e më të shpeshta. /Telegrafi/