Radoniqi: Ndërprerjet e rrymës të kontrolluara, dalja e votuesve deri në orën 15:00 është pak më e lartë se më 9 shkurt

Kryetari i Komisionit Qendror Zgjedhor, Kreshnik Radoniqi ka mbajtur në konferencë për media për daljen e votuesve deri në ora 15:00.
Ai po ashtu bëri të ditur se probleme me energji elektrike po vazhdon të ketë, por që ka intervenuar KEDS-i.
“Sipas raportit të orës 15:00, në dhomën operative të KQZ-së nga qendrat e ndryshme të votimit jemi duke pranuar se si është duke shkuar procesi zgjedhor”, tha Radoniqi.
“Sipas këtij raporti, u bë e ditur se kishte mungesë të energjisë në tri qendra votimi në komunën e Skenderajt, dy në komunën e Malishevës dhe dy qendra të tjera në Obiliq dhe Novobërdë”.
“Për të gjitha këto raste është informuar KEDS-i dhe intervenimi ka qenë në kohë rekorde”.
“Nga të dhënat preliminare që kemi marrë nga 96 për qind e qendrave të votimit, dalja është 28.65 për qind”.
“Sipas të dhënave nga Zgjedhjet Parlamentare të mbajtura më 9 shkurt, dalja ishte 28.32 për qind”, shtoi kreu i KQZ-së. /Telegrafi/
































