Qytetari nga Ferizaj gjen para në rrugë dhe i dorëzon në polici

Një qytetar nga Ferizaj, A. Cakolli, 61 vjeç, ka treguar shembull të veçantë përgjegjshmërie dhe ndershmërie qytetare, duke dorëzuar një shumë të parave që i kishte gjetur në rrugën “Dëshmorët e Kombit” në stacionin policor të qytetit.
Ngjarja ka ndodhur më 12 janar 2026, rreth orës 16:00. Paratë janë numëruar në prezencë të qytetarit, dhe për të gjitha veprimet policore është njoftuar prokurori i shtetit, ndërsa është iniciuar “Shënim zyrtar”.
Mjetet e gjetura ruhen aktualisht në stacionin policor të Ferizajt.
Policia bën apel tek pronari i ligjshëm i shumës që të paraqitet në stacion për verifikim dhe tërheqje të parave.
Policia Rajonale e Ferizajt falënderon qytetarin për gjestin shembullor dhe human, i cili tregon përgjegjshmëri dhe ndershmëri qytetare.
Me këtë veprim, qytetari A. Cakolli jep një shembull të mirë për komunitetin dhe për respektimin e ligjit.





















































