LAJMI I FUNDIT:

Qytetarët më shumë u besojnë institucioneve fetare se sa qeverisë dhe gjykatave

Qytetarët më shumë u besojnë institucioneve fetare se sa qeverisë dhe gjykatave

Në një raport të Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë lidhur me pikëpamjet e qytetarëve ndaj ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit në Kosovë thuhet se trendët e përgjithshme tregojnë se të anketuarit ndajnë perceptime më pozitive ndaj institucioneve fetare krahasuar me ato shtetërore.

Qytetarët që deklaruan se i besojnë punës së Qeverisë janë 14 për qind, punës së gjykatave rreth 22 për qind krahasuar me institucionet fetare ku besueshmëria ndaj tyre është 57 për qind.


Tradicionalisht qytetarët e Kosovës kanë pasur respekt ndaj institucioneve fetare në Kosovë, por jo domosdoshmërisht pikëpamjet e tyre reflektojnë në punën të cilën kryejnë këto institucione.

Një ekzaminim i afërt i rezultateve tregon se ka dallime mes zonave rurale dhe urbane sa i përket besimit në institucione fetare, thuhet në raportin e Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë.

“P.sh. rreth 65 për qind e qytetarëve të intervistuar të cilët jetojnë në zonat rurale besojnë më shumë ndaj institucioneve fetare krahasuar me 49 për qind e atyre që jetojnë në zonat urbane. Megjithatë, kontakti me institucionet fetare është në nivel të ulët”, thuhet në raport.

Rreth 76 për qind e qytetarëve i shohin si shumë rrezik organizatat terroriste të tipit ISIS dhe Al-Nusra, kurse pjesa tjetër, apo 8 për qind i shohin si rrezik mesatar këto organizata.

Ndërkaq, rreth 55 për qind deklaruan se qytetarët e Kosovës të kthyer nga lufta e Sirisë dhe Irakut duhet t’i nënshtrohen programeve strikte të ri-integrimit, rehabilitimit, dhe deradikalizmit. Pjesa tjetër, apo 22 për qind, e qytetarëve të anketuar mendojnë se ata duhet të arrestohen qysh në momentin e kthimit të tyre në Kosovë, ndërsa 15 për qind mendojnë se ata duhet t’u ndalohet kthimi në Kosovë.

Së fundi, rreth 57 për qind e qytetarëve të anketuar deklaruan së Qeveria e Kosovës dështoi në luftimin e ekstremizmit te dhunshëm dhe radikalizmit në Kosovë, ndërsa në anën tjetër rreth 35 për qind e të anketuarve e shohin si deri diku të suksesshme punën e Qeverisë në drejtim të luftimit dhe parandalimit të ekstremizmit te dhunshëm në Kosovë. /Telegrafi/