Kryetari i Komunës së Strugës, Mendi Qyra konfirmon porosinë e kryeministrit Mickoski i cili ka reaguar për manifestimin me rastin e 28 Nëntorit në Komunën e Strugës.

Megjithatë kreu i Strugës shpreson se do të vazhdojë të bashkëpunojë me OBRM-PDUKM-në sa i përket Këshillit të Komunës dhe projekteve të tjera në të mirë të të gjithë qytetarëve të Strugës.


“Nuk e kam dëgjuar deklaratën e kryeministrit, shpresoj se ne do të vazhdojmë të bashkëpunojmë dhe unë shpresoj që këshilltarët e OBRM-PDUKM-së do të na mbështesin edhe për këshillin, sepse do të kemi një marrëveshje dhe ne do të bashkëpunojmë në komunë e Strugës. Unë nuk kam dëgjuar dhe nuk dua të komentoj se çka ka thënë Kryeministri. Unë kam shpresë se Kryeministri do të shohë interesat e komunës së Strugës siç mendoj unë sepse unë jam kryetar i Komunës së Strugës për të gjithë qytetarët dhe për të mirat e komunës së Strugës dhe në këtë rast do të kem mbështetjen edhe të kryeministrit por edhe të OBRM-PDUKM-së por edhe të forcave të tjerë në komunë e Strugës”, theksoi Qyra.

Qyra pranon se vërejtja e Mickoskit kishte të bëj me anashkalimin e flamurit shtetëror.

“Në SMS-në që e mora në ditën e flamurit, sigurisht që vërejtja ishte pse nuk ishte flamuri shtetëror për të cilën unë i thash se kjo ka ndodhur për arsye se unë vetëm 15 ditë jam në këtë post dhe kjo është manifestuar gjithmonë në këtë formë dhe unë nuk e kam bërë me qëllim dhe besoj se kjo është një lëshim i cili do të përmirësohet herëve tjera…jo ai nuk paraqiti ndonjë shqetësim të madh, sigurisht e bëri vërejtjen e vet dhe ajo ishte një vërejtje e shkurtër dhe nuk komentuam gjëra të gjata”, tha Qyra./Alsat/