Ekspertët shpjegojnë pse dera e frigoriferit nuk është vendi i duhur për qumështin dhe cili është pozicioni ideal për ta ruajtur më gjatë të freskët

Çdo familje ka mënyrën e vet të sistemimit të blerjeve javore në frigorifer, ku secila raft apo hapësirë u dedikohet ushqimeve të caktuara. Ndërsa shumica e produkteve përfundojnë në raftet e brendshme, shishet e qumështit zakonisht vendosen në derën e frigoriferit.


Shumica e frigoriferëve kanë hapësirë praktike në derë, e cila ndihmon që shishet e mëdha të mos zënë vend në raftet kryesore. Kjo duket zgjidhje e përshtatshme, por nuk është vendi ideal për ruajtjen e qumështit. Sipas ekspertëve të ushqimit, mbajtja e qumështit në derë mund t’ia shkurtojë afatin e freskisë.

Ku duhet të ruhet qumështi?

Sipas specialistëve, qumështi qëndron i freskët deri në tri ditë më gjatë nëse ruhet në pjesën e pasme të frigoriferit, dhe jo në derë. Arsyeja është e thjeshtë: në pjesën e pasme mbizotëron temperatura më e ulët dhe më e qëndrueshme, çka ngadalëson shumimin e baktereve që shkaktojnë prishjen e qumështit.

Në të kundërt, dera e frigoriferit është pjesa ku temperatura luhatet më shumë, pasi hapet dhe mbyllet shpesh gjatë ditës. Sa herë që hapni frigoriferin, qumështi i vendosur në derë ekspozohet ndaj ajrit më të ngrohtë dhe ndryshimeve të shpeshta të temperaturës, gjë që e bën të prishet më shpejt, transmeton Telegrafi.

shutterstock

Temperatura bën diferencën

Temperatura është faktor kyç në ruajtjen e qumështit. Ekspertët këshillojnë që frigoriferi të mbahet nën 5°C, ndërsa qumështi të vendoset në pjesën më të ftohtë të frigoriferit, zakonisht në raftin e pasmë.

Gjithashtu:

  • Sigurohuni që shishja ose kutia të mbyllet mirë për të shmangur ndotjen
  • Mos e lini qumështin gjatë jashtë frigoriferit pas përdorimit
  • Për qumësht bimor, tundeni lehtë enën para përdorimit, pasi ndarja e përbërësve është e zakonshme dhe e padëmshme

Gabimi i zakonshëm

Shumë njerëz e mbajnë qumështin në derë për shkak të aksesit të lehtë, por kjo është pjesa më e ngrohtë e frigoriferit. Vetëm duke e zhvendosur qumështin në pjesën e pasme, mund të zgjatet freskia e tij deri në tri ditë më shumë.

Një ndryshim i vogël në organizimin e frigoriferit mund të bëjë diferencë të madhe, si për shëndetin, ashtu edhe për shmangien e hedhjes së ushqimit. /Telegrafi/