Zëvendësministri në detyrë i Drejtësisë, Vigan Qorrolli, ka thënë se kërkesa e kryesuesit të seancës konstitutive të Kuvendit, Avni Dehari, për konsultë me krerët politikë, ka qenë e duhur. 

Sipas tij, Dehari ka vepruar në përputhje me kërkesën e presidentes Vjosa Osmani, në letrën e saj pas tentativës së parë për formimin e institucioneve.


“Qëndrimi i LDK-së në takim ka zgjatur 35 sekonda. Kjo është pa shembullësia tjetër e një partie politike që veten e quan institucionaliste. Dehari nuk mund ta çojë në votim raportin e mandateve, sepse ai i është bindur letrës së Presidentes së Republikës, e cila thotë që duhet të jetë në konsultim me të gjitha partitë politike”, ka thënë ai, për RTK.

Qorrolli  e ka quajtur gjendjen si një situatë që nuk ka logjikë juridike e as politike.

“Nëse hyjmë në labirinte juridike, ajo mund të zgjasë me muaj, sepse mund të merremi me presje. Nëse ka vullnet politik, këto çështje mund të zgjidhen brenda orësh. Përveç vullnetit dhe komunikimit, nevojiten edhe votat. Pajtohem se të martën ka dështuar seanca për shkak të opozitës; ka qenë autogol në aspektin politik. Por të enjten ishte evidente që Vetëvendosje mund të kalonte me verifikimin e mandateve”, ka thënë politologu Melazim Koci.

Analistja Besa Luzha ka shprehur kritikat e saj për qasjen e Lëvizjes Vetëvendosje, duke kërkuar që, meqë i kanë votat si shumicë, të ofrojnë zgjidhje drejt themelimit të institucioneve të legjislaturës së nëntë.

“Edhe duke mos e dërguar në votim raportin për mandatet e deputetëve, shkelen procedurat”, ka thënë ajo.