LAJMI I FUNDIT:

Putini dhe aleatët e tij pëlqejnë të blejnë art: Për ta ndihmuar Ukrainën, duhet konfiskuar atë art

Putini dhe aleatët e tij pëlqejnë të blejnë art: Për ta ndihmuar Ukrainën, duhet konfiskuar atë art
“La Poitrine” nga René Magritte’s u ble më 2014 nga oligarku Arkady Rotenberg, pak pasi u vendosën sanksionet kundër tij

Nga: Vladyslav Vlasiuk / The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com

René Magritte, një nga artistët më të famshëm të Belgjikës, ishte anëtar lider i lëvizjes së viteve 1920 të quajtur surrealizëm, që kërkonte revolucion kundër kufizimeve të mendjes racionale. Kur i përshkruante pikturat e veta, Magritte thoshte se ato “ngjallin mister” dhe u përpoq të pyeste shikuesit: “Çfarë do të thotë kjo? Nuk do të thotë asgjë, sepse misteri nuk do të thotë asgjë, është i panjohur.” Ndonjëherë ndihem sikur po shikoj një pikturë tij, sa herë e shqyrtoj aftësinë e rusëve për t’iu shmangur politikave të sanksioneve perëndimore.

Arkady Rotenberg, me pasuri prej 3.5 miliardë dollarëve të raportuar (2.9 miliardë euro), është mik fëmijërie i Vladimir Putini. Dikur ishte partneri i presidentit rus në xhudo, përpara se të përparonte për t’u bërë biznesmen i pasur. Rotenbergu publikisht ka pretenduar se zotëron të ashtuquajturin “Pallati i Putinit” – prej një miliard dollarëve – një kompleks i madh në bregun e Detit të Zi që thuhet se është në pronësi të fshehtë të presidentit rus.


Në mars të vitit 2014, Rotenbergu ishte një nga rusët e parë që u godit nga sanksionet, pasi Rusia pushtoi në mënyrë të paligjshme Ukrainën dhe e aneksoi Krimenë. Megjithatë, dy muaj pas vendosjes së kufizimeve, një rrjet kompleks i kompanive fantome të lidhura me Rotenbergun dhe me familjen e tij, u përdor për të blerë për 7.5 milionë dollarë – në një ankand të Sotheby’s në Nju-Jork – pikturën La Poitrine të bërë nga Magritte

Sipas një hetimi të Senatit të ShBA-së, piktura u dërgua në një strukturë magazinimi në Gjermani, të quajtur Hasenkamp, ku qëndroi për pesë vjet. Në gusht 2019, kur komiteti filloi të hetonte blerjen, vepra e artit u dërgua në Moskë. Në raportin e tij, komiteti i Kongresit tha se ishte “tronditëse” mungesa e rregulloreve bankare për transaksionet e artit, dhe se kjo e krijoi një “mjedis të mirë për pastrimin e parave dhe për shmangien e sanksioneve”. Raporti drejtoi kritika të ashpra ndaj shtëpive të ankandeve dhe ndaj tregtarëve të artit që bënë pak për të kontrolluar ose ndaluar tregtimin e artit me njerëzit e sanksionuar.

Që nga pushtimi i plotë i Ukrainës, në vitin e kaluar, janë marrë disa masa shtesë. Shtëpitë e ankandeve Christie’s, Sotheby’s dhe Bonhams anuluan shitjet e artit rus në Londër, si përgjigje ndaj sanksioneve perëndimore ndaj Kremlinit dhe miqve të tij të pasur. Por, shumë më tepër mund të bëhet për ta trajtuar një treg famëkeq të errët, i cili është favorizuar prej kohësh nga oligarkët rusë që kërkojnë t’i zhvendosin paratë. Në fund të fundit, pikturat dhe skulpturat janë më të lehta për t’u transportuar dhe fshehur sesa jahtet dhe aeroplanët privatë, shumë prej të cilëve janë sekuestruar gjatë vitit të kaluar. Arti gjithashtu u siguron oligarkëve një mekanizëm për ta spastruar reputacionin e tyre – gërshetimi i vetvetes me një botë kaq të praruar që siguron pozitë kulturore, sociale dhe politike.

Ardhja e super të pasurit rus në botën e artit, u njoftua në maj të vitit 2008 kur Roman Abramovich, pronari i atëhershëm i klubit të futbollit Chelsea, e bleu pikturën e Lucian Freudit – Benefits Sleeping Supervisor – për 17 milionë funte nga Christie’s në Nju-Jork. Mbrëmjen tjetër, e bleu Triptikun e Francis Baconit për 43 milion funte nga Sotheby’s. Kjo dhuratë bujare erdhi një javë pasi Putini u kthye nga presidenti rus në kryeministër, duke e zgjeruar pushtetin e tij përtej dy mandateve të njëpasnjëshme të lejuara me Kushtetutë.

Leonid Mikhelson është aksionar kryesor në Novatek, kompani ruse e gazit, dhe ka bërë biznes me Gennady Timchenkon, një oligark që për dekada ka qenë i afërt me presidentin rus. Mikhelson ishte një nga disa oligarkët e thirrur në Kremlin, një ditë pas pushtimit të plotë rus të Ukrainës – në vitin e kaluar. Ai është i sanksionuar që nga viti 2014. Megjithatë, gjatë të njëjtës periudhë kohore, fondacioni i Mikhelsonit ka pasur gjithashtu një prani në institucionet publike të artit të Londrës, duke organizuar katër shfaqje në Galerinë Whitechapel mes viteve 2014 dhe 2018.

Aleatët perëndimorë të Ukrainës që kërkojnë të ushtrojnë presion mbi Kremlinin, lidhur me ekstravagancën e pafrenuar të krimeve të luftës në Ukrainë, mund t’i ndalojnë rusët e sanksionuar nga tregjet e veta prestigjioze të artit, duke përfshirë shtëpitë e ankandeve. Mund të futen rregullat më të rrepta për pronësinë përfituese, të cilat do të ndihmonin në pastrimin e tregut të pasurive të paluajtshme si dhe të botës së artit. Duhet të krijohet një task-forcë ndërkombëtare për të rimarrë veprat e çmuara të artit, të grabitura nga galeritë dhe muzetë e Ukrainës nga pushtuesit rusë. Dhe, autoritetet perëndimore duhet të konfiskojnë pjesët e blera nga individët e sanksionuar dhe nga përfaqësuesit e tyre. Paratë duhet të shkojnë për rindërtimin e Ukrainës.

Mbretëria e Bashkuar nuk do të duhet të kërkojë shumë për artikujt e tillë. Dy muaj pas fillimit të luftës, në vitin e kaluar, autoritetet e saj mund ta kishin bërë një deklaratë të vërtetë. Muzeu Viktoria dhe Albert e priti një ekspozitë të suksesshme të Fabergé-së në Londër – Nga romanca te Revolucioni – që shfaqi objektet e artit që argjendari rus ia shiti familjes mbretërore britanike dhe aristokracisë në fillim të shekullit të kaluar. Në vendin e çmuar ishte ora vezore Rothschild Fabergé e vitit 1902, që përfshin një gjel me diamant që në çdo orë del sipër. Veza Rothschild ishte blerë në Christie’s në Londër në vitin 2007, për nëntë milionë funte, nga biznesmeni rus Alexander Ivanov. Ajo u transferua në ekspozitën V&A nga Muzeu Hermitage i Ivanovit në Shën Petersburg, pasi mori garanci nga Mbretëria e Bashkuar se do të përjashtohej nga sekuestrimi nga gjykatat.

Veza u kthye përfundimisht në Rusi, disa muaj pasi Putini urdhëroi trupat e veta në një konflikt në Ukrainë që përkufizohet gjithnjë e më shumë nga shënjestrimi i qëllimshëm i civilëve – në shkelje të plotë të të gjitha ligjeve ndërkombëtare.

Javën e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale në Hagë e paditi Putinin për rrëmbimin masiv të fëmijëve ukrainas dhe lëshoi një urdhërarrest për të. Duke pasur parasysh situatën aktuale, nuk ka gjasa që Putini të rrezikojë ndonjëherë duke vizituar një vend që do ta respektonte urdhrin e arrestit.

Por, një masë tjetër mund të ishte marrë për t’i treguar presidentit rus se Perëndimi do të thotë biznes. Disa kohë pasi Ivanovi bleu orën vezore Rothschild Fabergé, ai çuditërisht vendosi ta dhuronte. Pronësia iu transferua, në vitin 2015, një individi rus i cili u godit nga sanksionet e Mbretërisë së Bashkuar, BE-së dhe ShBA-së vitin e kaluar, pasi tanket ruse u futën në Ukrainë. Emri i tij është Vladimir Putin. /Telegrafi/