Putin propozon bisedime të drejtpërdrejta me Ukrainën: Jam gati, Turqi, 15 maj

Presidenti rus Vladimir Putin ka propozuar bisedime të drejtpërdrejta të paqes me Ukrainën më 15 maj në Stamboll, Turqi.
Putin iu drejtua publikut disa orë pas përfundimit të një pauze treditore të vetëshpallur në sulmet ndaj Ukrainës.
Ai tha se Rusia po propozon bisedime të drejtpërdrejta me Ukrainën në Stamboll të enjten, më 15 maj, në një përpjekje për të "hequr shkaqet rrënjësore të konfliktit" dhe "të arrihet rivendosja e paqes afatgjatë dhe të qëndrueshme".
"Nuk ishte Rusia ajo që i ndërpreu negociatat në 2022. Ishte Kievi. Megjithatë ne propozojmë që Kievi të rifillojë negociatat e drejtpërdrejta pa asnjë parakusht", tha Putin, duke iu referuar bisedimeve të dështuara menjëherë pas agresionit rus.
"Po presim përgjigjen e Rusisë", Zelensky prezanton detajet e propozimit për një armëpushim 30-ditor

"Ne u ofrojmë autoriteteve në Kiev që të rifillojnë negociatat që të enjten, në Stamboll”, shtoi presidenti rus.
Ndryshe, fuqitë e mëdha evropiane të shtunën mbështetën një armëpushim të pakushtëzuar 30-ditor në Ukrainë, dhe kërcënuan Putinin me sanksione të reja "masive" nëse ai nuk i pranon ato brenda disa ditësh.
Dje në Kiev ishin kancelari gjerman Friedrich Merz, presidenti francez Emmanuel Macron, kryeministri britanik Keir Starmer dhe kryeministri polak Donald Tusk.
Ata folën me Volodymyr Zelenskyn dhe Donald Trump në telefon, një bisedë që ministri i Jashtëm ukrainas Andriy Sibiha e quajti "të frytshme".
Dhe i dhanë Putinit një ultimatum duke i kërkuar të binte dakord për një armëpushim 30-ditor që do të fillonte të hënën, më 12 maj.
Nëse ai refuzonte, vendet perëndimore do të dërgonin edhe më shumë armë në Ukrainë dhe do të vendosnin sanksione të reja "masive" ndaj Rusisë. /Telegrafi/



















































