Punimet në Parkun “Idriz Rrecaj”, parkun më të madh të qytetit të Skenderajt, po vazhdojnë me intensitet, duke e kthyer këtë hapësirë në një zonë të gjelbër dhe rekreative për qytetarët.

Sipas Komunës së Skenderajt, parku po kompletohet çdo ditë me elemente të reja, përfshirë hapësira për ecje, shteg për biçikleta, kënd lojërash për fëmijë, gjelbërim dhe sistem të ujitjes, me qëllim që të krijohet një ambient i përshtatshëm për pushim dhe argëtim familjar, përcjell Telegrafi.




Kryetari i Komunës, Fadil Nura, së bashku me nënkryetarin Sami Lushtaku dhe drejtorin për Urbanizëm dhe Mbrojtje të Ambientit, Driton Mulaj, kanë vizituar sot punimet për të parë nga afër ecurinë dhe transformimin e parkut.

Ky projekt, i cili pritet të përfundojë së shpejti, do të jetë një nga hapësirat më të rëndësishme publike të qytetit, duke ofruar kushte moderne për rekreacion dhe gjallërim të jetës urbane në Skenderaj. /Telegrafi/