Punëtorët e Radiotelevizionit të Kosovës (RTK) do të mbajnë sot një tjetër protestë para ndërtesës së Kuvendit të Kosovës për të kërkuar pagesat dhe buxhetin e institucionit.

Sipas njoftimit të Sindikatës së Pavarur të RTK-së dhe Shoqatës Sindikale të Radios së Kosovës, protesta do të fillojë në ora 11:00 dhe ftohen të gjithë punëtorët e RTK-së, mediat dhe qytetarët që besojnë në të drejtën për informim të pavarur që të bashkohen.


“Protesta organizohet si reagim ndaj mosreflektimit të institucioneve përgjegjëse për transferimin e pjesës së dytë të buxhetit të RTK-së për vitin 2025, ndonëse ky buxhet është miratuar me ligj dhe përbën detyrim ligjor për ekzekutim,” thuhet në njoftim.

Në njoftim gjithashtu theksohet se “mosveprimi deri më tani ka krijuar një situatë të rëndë për punëtorët e RTK-së duke rrezikuar seriozisht mirëqenien e tyre dhe funksionimin normal të transmetuesit publik.”

Punëtorët e RTK-së kërkojnë që institucionet kompetente të veprojnë menjëherë për të garantuar financimin dhe pagesat e punëtorëve, duke ruajtur kështu funksionimin e transmetuesit publik dhe të drejtën e qytetarëve për informim të pavarur. /Telegrafi/