PSG nxiton për të siguruar të ardhmen e Enriques

Paris Saint-Germain po përshpejton bisedimet për rinovimin e kontratës së trajnerit Luis Enrique, e cila aktualisht skadon në vitin 2027.
Negociatat e hershme mes trajnerit dhe drejtuesve të klubit kanë nisur, me të dyja palët që shprehin gatishmëri për të arritur një marrëveshje.
Klubi e konsideron Enrique si yllin e vërtetë të projektit të tyre, duke e përshkruar si trajnerin më të mirë në historinë e PSG-së dhe duke i atribuar atij arritjen e titullit të parë në Ligën e Kampionëve për ekipin parisien.

Burime pranë klubit bëjnë me dije se PSG dëshiron të shmangë nisjen e sezonit të ardhshëm me rrezikun e largimit të trajnerit, veçanërisht në një kohë kur klube të Ligës Premier po monitorojnë situatën e tij.
Enrique ka konfirmuar vetë se ka qëllim të respektojë kontratën e tij, duke deklaruar se do të largohet vetëm nëse shkarkohet dhe se nuk ka plane për t’u larguar verën e ardhshme, pavarësisht thashethemeve që kanë qarkulluar.
"Unë gjithmonë përmbush kontratat që nënshkruaj. Largohem vetëm nëse më shkarkojnë", ka thënë Enrique.
Diskutimet aktualisht përqendrohen tek një marrëveshje e re deri në vitin 2030, me një kontratë dyvjeçare dhe një opsion për vitin e tretë që mund ta aktivizojë vetë trajneri.

Si PSG, ashtu edhe Enrique dëshirojnë të vazhdojnë bashkëpunimin që ka nisur në 2023 dhe që deri tani ka sjellë dhjetë tituj në kryeqytetin francez.
Ndërkohë, Enrique vazhdon të integrojë talentet e reja në ekip, përfshirë mesfushorin e ri Dro, ish-akademik i Barcelonës, i cili u transferua këtë dimër për të fituar minuta loje.
Megjithëse Dro ende nuk ka debutuar kundër Strasburgut, Enrique po tregon durim dhe mund t’i japë minutat e para në ndeshjen e rëndësishme kundër Marseille.
"Më pëlqejnë këtë lloj lojtarësh. Do të shohim kur do të jetë gati për të hyrë në fushë”, përfundoi Enrique. /Telegrafi/















































