LAJMI I FUNDIT:

Pse nazistët nuk e bënë bombën e parë atomike?

Pse nazistët nuk e bënë bombën e parë atomike?

Frika nga një bombë atomike gjermane, nga viti 1942 e shtyu përpara Projektin amerikan Manhattan. Në vitin 1945, ShBA-ja hodhi bomba atomike në Hiroshima e Nagasaki. Por, sa larg eci kërkimi gjerman për bombën atomike?

Në fund të vitit 1938, dy kimistë gjermanë, Otto Hahn dhe Fritz Strassmann, zbuluan ndarjen bërthamore, domethënë procesin me të cilin një bërthamë atomike ndahet në dy ose më shumë bërthama më të vogla, duke lëshuar kështu sasi të mëdha “energjie”. Shfrytëzojeni këtë forcë, thanë fizikanët, dhe mund të zhvilloni një bombë të fuqishme të aftë për të rrafshuar qytete të tëra.

Shkencëtarët gjermanë filluan menjëherë të punojnë në projektin e bombës atomike. I mbështetur nga industria e fuqishme dhe interesat ushtarake, klubi i uraniumit lidhi kontrata me disa nga studiuesit më të mirë bërthamorë në botë.


Megjithëse projekti u mbajt sekret, shkencëtarët që u larguan nga Gjermania naziste zbuluan informacione. Mes tyre ishte Albert Einstein i cili në vitin 1939 paralajmëroi presidentin e atëhershëm të SHBA-së, Franklin D. Roosevelt. Në mbarë botën, shqetësimi po rritej se nazistët po zhvillonin një armë sekrete.

Përgjigja nga ShBA-ja ishte Projekti Manhattan. Pikërisht në mes të Luftës së Dytë Botërore, ky program, i udhëhequr nga J. Robert Oppenheimeri, filloi të shqyrtonte në verën e vitit 1942 se si të ndërtohej një bombë atomike duke përdorur elementët uranium dhe plutonium.

Frika nga projekti konkurrues nazist e nxiti qeverinë amerikane. Falë mbështetjes masive financiare, u deshën vetëm tre vjet që Oppenheimeri dhe ekipi i tij të përfundonin me sukses testin e parë të armës bërthamore. Bomba e parë atomike e përdorur në fakt goditi qytetin japonez të Hiroshimës tre javë më vonë.

“Unë nuk besoj asnjë fjalë të gjithë kësaj historie”, tha Werner Heisenberg, drejtor i projektit gjerman të uraniumit, kur mori vesh lajmin nga Hiroshima.

Në atë kohë, Heisenbergu dhe nëntë fizikantë të tjerë kryesorë bërthamorë, që kishin kryer kërkime në Gjermani, po mbaheshin të burgosur në rezidencën angleze të Farm Hall. Britanikët regjistruan fshehurazi bisedat e tyre për të mësuar më shumë rreth planeve bërthamore të nazistëve.

Fizikanët tjerë e mbështetën mosbesimin e Heisenbergut. Shumica e tyre dyshonin për një blof që synonte ta bënte Japoninë të kapitullonte. Otto Hahn kishte theksuar se nuk mendonte se ndërtimi i një bombe të tillë do të ishte e mundur në 20 vitet e ardhshme. Reagimi i Heisenbergut dhe Hahnit tregon se programi gjerman në fakt ishte shumë larg zhvillimit të një arme bërthamore.

Shtetet e Bashkuara e kishin mbivlerësuar shumë gjendjen e progresit të projektit gjerman të uraniumit dhe vetëm falë regjistrimeve të Farm Hall ata e kuptuan këtë, shpjegon për DW historiani gjermano-japonez, Takuma Melber nga Universiteti i Heidelbergut.

Kur Projekti Manhattan po vazhdonte me vrull, programi i armëve bërthamore të Gjermanisë ishte tashmë i vdekur. Studiuesit gjermanë e dinin se për disa vite nuk do të ishin në gjendje të ndanin izotopet për të bërë një bombë atomike. Ata nuk kishin arritur të fillonin një reaksion zinxhir me ndarje bërthamore dhe nuk dinin për ndonjë metodë të pasurimit të uraniumit. Programi i armëve bërthamore u anulua në korrik 1942 dhe kërkimi i tij u nda në nëntë institute të ndryshme në Gjermani.

Deri në vitin 1942, programi ishte një projekt ushtarak, shpjegon historiani Melber, por më pas u kthye në një projekt civil. Qëllimi i ri ishte të ndërtohej një reaktor bërthamor i aftë për të trajtuar ndarjen bërthamore në një shkallë më të vogël. Heisenbergu dhe ekipi i tij eksperimentuan me një reaktor kërkimor në një bodrum të gdhendur në shkëmb poshtë kishës së kështjellës në Haigerlok, Baden-Vurtemberg. Kubat e uraniumit u ngjitën në tela dhe u ulën në një rezervuar me ujë të rëndë, përbërjen kimike oksid-deuterium.

Programi bërthamor gjerman nuk shkoi më tej – reaktori nuk funksionoi kurrë. Nuk kishte uranium të mjaftueshëm në bërthamën e reaktorit për të shkaktuar një reaksion zinxhir.

Por, studiuesit nuk ishin larg. Shkencëtarët tani besojnë se po të kishte pasur 50 për qind më shumë uranium në reaktor, Heisenbergu mund të kishte zhvilluar reaktorin e parë bërthamor.

Pse dështoi programi bërthamor gjerman, pavarësisht përparimeve të tij dhe shkencëtarëve të tij të shkëlqyer?

Nga njëra anë, sepse Gjermanisë i mbaruan shkencëtarët. Shumë shkencëtarë hebrenj dhe polakë u larguan nga persekutimi, si fizikania Lise Meitner e cila ishte e rëndësishme në zbulimin e ndarjes bërthamore. Disa nga këta refugjatë shkuan në Britaninë e Madhe ose Shtetet e Bashkuara, ku ata bashkëpunuan në Projektin Manhattan. Shkencëtarë të tjerë u rekrutuan si ushtarë.

Lufta gjithashtu bëri që disa nga lëndët e para të nevojshme për kërkime të pakësohen, thotë Takuma Melber. Këto përfshinin uraniumin e pasuruar dhe ujë për të ftohur reaktorët. Uji i rëndë prodhohej në Norvegjinë e pushtuar, por trupat aleate dhe norvegjeze sulmuan vendet e prodhimit.

Por, në fund, ishte mungesa e mbështetjes politike ajo që ndaloi përparimin. Adolf Hitleri nuk e kuptoi të gjithën dhe e ndaloi mbështetjen në vitin 1942, raporton historiani Melber. Atëherë praktikisht nuk kishte asnjë mbështetje financiare, veçanërisht në krahasim me Projektin Manhattan. Në të u punësuan 500 mijë vetë, rreth një për qind të fuqisë punëtore të ShBA-së, dhe i kushtoi qeverisë rreth dy miliardë dollarë amerikanë. Sot, kjo do të korrespondonte me 24 miliardë dollarë amerikanë. Në të kundërtën, Shoqata Gjermane e Uraniumit dhe projektet pasardhëse të saj kishin më pak se një mijë shkencëtarë që punonin për një buxhet prej tetë milionë markave, që sot do të arrinte në rreth 24 milionë dollarë amerikanë.

Të dhënat e Farm Hall-it ofrojnë një arsye tjetër për dështimin gjerman: vetë shkencëtarët e kundërshtuan bombën atomike për arsye morale dhe sabotuan fshehurazi zhvillimin e saj. Fizikanti dhe studiuesi i ardhshëm i paqes, Carl Friedrich von Weizsäcker, ka thënë: “Unë mendoj se nuk ia dolëm, sepse jo të gjithë fizikanët donin me të vërtetë që ajo të kishte sukses. Nëse të gjithë do të kishim dashur që Gjermania të fitonte luftën, ne mund ta kishim bërë atë”. /DW/