Ndërsa miliona ndjekin finalen e Eurovisionit, shumë fansa ndihen në konflikt për pjesëmarrjen e Izraelit, në sfondin e luftës në Gaza.

Eurovision është promovuar si një festë e paqes dhe dashurisë, por praninë e një shteti në konflikt e shohin si kundërthënie me këtë mision.


Disa argumentojnë se Unioni Evropian i Transmetimeve (EBU) nuk ka fuqi për ta përjashtuar Izraelin, shkruan The Guardian.

Të tjerë përmendin sponsorin izraelit Moroccanoil. Por, çështja është më e thellë: lidhet me vetë qëllimin e ekzistencës së EBU-së.

Kjo organizatë u themelua në 1950 për të mbështetur transmetimin publik të lirë dhe të pavarur, dhe përjashtonte zërat që i shërbenin drejtpërdrejt qeverive.

Në Izrael, ky debat është i gjallë. Qeveria e Netanyahut e mbylli transmetuesin publik IBA në 2017, duke e zëvendësuar me Kan – më i bindur, por sërish në shënjestër të pushtetit, që kërkon ta privatizojë. EBU mbron Kanin si një transmetues publik, sepse në të kundërt, do të thyheshin rregullat e pjesëmarrjes në Eurovision.

EBU përballet me një sfidë: ta mbrojë Kanin dhe parimet e saj, apo markën e Eurovisionit, e cila tani është bërë një simbol i vlerave liberale në arenën ndërkombëtare.

Në vitin 2022, Rusia u përjashtua vetëm pas presionit të vendeve të tjera. Me Izraelin, një hap i tillë nuk ka ndodhur ende.

Eurovision sot nuk është më vetëm një garë këngësh – është një platformë politike dhe kulturore.

Dhe këtë vit, për shumë shikues, festivali nuk do të ndihet si një “shfaqje e lehtë”, por si një provë e vlerave që pretendon të mbrojë. /Telegrafi/