Protestojnë mësimdhënësit e shkollës “Pavarësia”, Ymeri nga SBASHK-u: Përveç dhunës psikike, po përballen edhe me dhunë fizike

Shoqata Sindikale e ShFMU “Pavarësia”, Këshilli Drejtues i Shkollës dhe Këshilli i Prindërve sot kanë mbajtur në protestë dy orëshe në shkollë, pas incidentit fizik që ndodhi mes një arsimtari të kësaj shkolle dhe një nxënësi.
Në protestën e mbajtur në këtë shkollë i pranishëm ishte edhe Ymer Ymeri nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit (SBASHK).
Ai tha se një rast i tillë nuk është hera e parë që po ndodh, pasi raste të ngjashme kanë ndodhur edhe në shkolla tjera.
“Përveç dhunës psikike ndaj punëtorëve të arsimit, mësimdhënësve nga ana e nxënësve e shpeshherë edhe nga ana e prindërve ka raste edhe kur janë sulmuar fizikisht, si ai i djeshit...
Na vjen shumë keq që ka ndodh. Por, më e keqja më e madhe është se ngjarja nuk është paraqitur në mënyrën e duhur krejtësisht, por është marr një pjesë nga fundi i ngjarjes pothuajse....”, tha ai.
Sipas tij, pastaj edhe organet e sigurisë kanë vepruar në bazë të këtyre ngjarjeve të publikuara.
“Kërkojmë nga organet e drejtësisë të shqyrtojnë sa më shpejt rastin, të dilet me të vërtetën dhe ta lirojnë arsimtarin... Të ndërmarrin masa ndaj prindërve, fëmijët e të cilëve përdorin dhunë në shkollë”, tha ai.
Ndërkaq, përfaqësues të Shoqatës sindikale të kësaj shkolle thanë se janë kundër çdo forme të dhunës, qoftë fizike apo verbale, pasi dhuna nuk ka vend në shkolla dhe nuk mund të arsyetohet nga askush.
“Kjo grevë nuk organizohet për të justifikuar dhunën, por si reagim kundër dhunës dhe veprimeve delikuente që po cenojnë sigurinë dhe dinjitetin e mësimdhënësve në procesin edukativo arsimor”, u tha më tej.
Po ashtu, në këtë protestë u tha se qëllimi është që të ketë një ambient të sigurt e profesional, ku zhvillohet mësimi normalisht e me respekt të ndërsjellë dhe ku nuk vihet në pikëpyetje autoriteti i mësimdhënësit përmes fyerjeve, sharjeve e nënçmimit.
Nga Shoqata Sindikale u kërkua qasje serioze nga të gjitha institucionet kundër këtij fenomeni. /Telegrafi/


























































