LAJMI I FUNDIT:

Prostata, problemet dhe trajtimi

Prostata, problemet dhe trajtimi
Dr. Rinon Dervishi, Specialist – Urolog

Prostata është një organ i vogël me një madhësi afërsisht sa një arrë, me peshë rreth 30 gram dhe zakonisht është e butë dhe e lëmuar në prekje

Dr. Rinon Dervishi PhDc.
Specialist – Urolog
Tel. 048 788 788


Kjo gjëndër e vogël ndodhet direkt nën fshikëzën e urinës dhe ka funksione të ndryshme. Më e rëndësishmja është prodhimi i lëngut seminal, i cili është një komponent i spermës. Prostata gjithashtu luan një rol në prodhimin e hormoneve dhe ndihmon në rregullimin e rrjedhjes së urinës.

Problemet e prostatës janë të zakonshme, veçanërisht te meshkujt mbi moshën 45 vjeçare me një incidencë në rritje edhe te moshat më të reja si pasojë e infeksioneve të patrajtuara me kohë. Problemet më të zakonshmet përfshijnë inflamacionin e prostatës, prostatën e zmadhuar dhe kancerin e prostatës.

Disa nga simptomat e problemeve të prostatës shpesh shfaqen si vështirësi në urinim, rrjedhje të dobët të urinës, urinim të shpeshtë gjatë natës, urgjenca për të urinuar por me vetëm një sasi të vogël të urinës, mos zbrazja komplet e fshikëzës urinare.

Problemet e prostatës gjithashtu mund të shkaktojnë probleme me funksionin seksual, infeksione të traktit urinar, gurë në fshikëz, stazë të veshkave si pasojë e pengesës së zbrazjes së urinës nga zmadhimi i prostatës si dhe në raste ekstreme dështim të veshkave.

Kur duhet ta vizitoni mjekun?

Nëse konstatoni simptomat e mëposhtme, kontaktoni mjekun specialist urolog:

pamundësi e urinimit
dhimbje gjatë urinimit ose pas ejakulimit
dhimbje në penis, skrotum ose zonën midis skrotumit dhe anusit
gjak në urinë
parehati të rëndë në bark
rrjedhje e dobët e urinës ose driblim në fund të urinimit
probleme me kontrollin e fshikëzës, të tilla si ndalimi ose vonesa e urinimit
pamundësia për të zbrazur plotësisht fshikëzën
urinë me një erë ose ngjyrë të pazakontë
gjak në spermë

Kanceri i prostatës

Kanceri i prostatës është forma më e zakonshme e kancerit tek meshkujt pas kancerit të lëkurës. Kontrollet rutinë të prostatës pas moshës 45 vjeçare janë të domosdoshme për parandalimin e kancerit të prostatës.

Prostatiti (inflamacioni i prostatës)

Prostatiti është një ënjtje ose inflamacion i zakonshëm i prostatës. Ky është problemi më i zakonshëm i prostatës tek meshkujt nën 50 vjeç. Rreth 10–15% meshkujve do të kenë prostatit.

Prostatiti akut është një inflamacion i papritur i prostatës. Kjo mund të ndodhë për shkak të një infeksioni bakterial. Shfaqet papritur por me trajtimin e duhur dhe të shpejtë shërohet me sukses.

Kur inflamacioni i prostatës nuk shërohet me kohë, zgjat më shumë se 3 muaj, njihet si prostatiti kronik ose sindroma e dhimbjes kronike të legenit.

Prostata e zmadhuar – HBP

Një prostatë e zmadhuar, e njohur gjithashtu si hiperplazia beninje e prostatës (HBP), është problemi më i zakonshëm i prostatës tek meshkujt mbi 50 vjeç.

Kur prostata zmadhohet, ajo shtyp dhe shtrëngon uretrën, duke ngushtuar tubin e saj. Ngushtimi i uretrës dhe zvogëlimi i aftësisë për të zbrazur fshikëzën shkaktojnë shumë nga problemet e lidhura me këtë gjendje. Ndërsa kjo gjendje vazhdon, fshikëza mund të dobësohet dhe të mos jetë në gjendje të zbrazet siç duhet.

Një prostatë e zmadhuar e bën të vështirë urinimin dhe, në raste të rralla, mund të parandalojë plotësisht urinimin. Kjo është një gjendje e quajtur mbajtje urinare, e cila kërkon vlerësim urgjent mjekësor.

Specialistët urolog mund të diagnostikojnë problemet me prostatën duke përdorur lloje të ndryshme ekzaminimesh të prostatës.

Në ekzaminimet e zakonshme të prostatës përfshihen:

▪ Ekzaminimi digitorektal
▪ Antigjeni specific i prostatës (PSA)
▪ Ultrazëri i prostatës
▪ Biopsia e prostatës
▪ Rezonanca Magnetike e prostatës, MRI

Trajtimi

Trajtimi i prostatës varion varësisht prej problemit dhe madhësisë se prostatës, nga terapia me barna e deri te largimi i prostatës me intervenim kirurgjikal. /Telegrafi/

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Kur trupi ‘qan’ për ndihmë: Shtatë shenjat që tregojnë sasi të tepërt të hekurit në gjak

Kur trupi ‘qan’ për ndihmë: Shtatë shenjat që tregojnë sasi të tepërt të hekurit në gjak

Shëndetësi
Kalo në kategori