LAJMI I FUNDIT:

“Propagandë se ka zhvillim ekonomik” – gjithçka nga intervista me ekonomistin e PDK-së, Arben Mustafa  

“Propagandë se ka zhvillim ekonomik” – gjithçka nga intervista me ekonomistin e PDK-së, Arben Mustafa  

Koordinatori i Departamentit për Financa në Kabinetin për Qeverisje të Mirë në Partinë Demokratike të Kosovës, Arben Mustafa në një intervistë për Telegrafin ka folur mungesën e investimeve kapitale, rritjen e inflacionit, punën e ndërmarrjeve publike, etj.

Mustafa në një intervistë për emisionin “Përballje” me kryeredaktorin Muhamet Hajrullahu është shprehur se ka pak investime kapitale, ka rritje të inflacionit, nuk ka punësime të reja, ndërkaq ka potencuar se ka kapje të bordeve të ndërmarrjeve publike.

Ai po ashtu theksoi se Qeveria Kurti po bën propagandë se në vendin tonë ka zhvillim ekonomik.


“Ajo se çfarë e ka karakterizuar këtë qeveri që nga fillimi i mandatit të saj ka qenë një komunikim jo i sinqertë me publikun për sa i përket ekonomisë. Kjo qeveri është e vetëdijshme se ka mungesë të sukseseve reale në ekonomi. Për t’i mbuluar këto dështime, kjo qeveri është shërbyer me propagandë se kinse në Kosovë kemi një lulëzim të ekonomisë”, është shprehur Mustafa.

“Nëse i shohim deklaratat e kryeministrit dhe ministrit të Financave, mu në kulmin e krizës ata kanë folur kinse se si po rriten të hyrat e qeverisë, e se si po punësohen njerëzit”, ka shtuar ai.

Sipas tij, gjatë këtyre viteve të kësaj qeverie është parë një rritje enorme të kostos së jetesës, por se niveli i të hyrave ka qenë i pandryshueshëm.

“Fatkeqësisht ajo që ka ndodhur gjatë viteve të fundit të qeverisjes së Kurtit me ekonominë, mund të përkufizohet me një degradim të ekonomisë dhe kushteve të jetesës në Kosovë. Gjatë këtyre viteve kemi parë një rritje enorme të kostos së jetesës dhe një nivel pothuajse të pandryshueshëm të të hyrave të qytetarëve, e që do të thotë se qytetarët janë më të varfër. Në njërën anë kishte rritje të madhe të çmimeve dhe në anën tjetër kishim një dobësim të performancës të ekonomisë”, thekson Mustafa, shkruan Telegrafi.

Koordinatori i Departamentit për Financa në Kabinetin për Qeverisje të Mirë në PDK, Arben Mustafa gjatë intervistës në “Përballje” / Foto: Ridvan Slivova

Duke folur për nivelin e papunësisë në vend, “ministri në hije” i Financave në PDK potencon se kjo qeveri në mënyrë të pashpjegueshme e ka ndaluar publikimin e Anketës së Fuqisë Punëtore.

Mustafa shton se qeveria tashmë po shërbehet me të dhëna periferike, që sipas tij, kjo po bëhet për të krijuar iluzionin e krijimit të vendeve të reja të punës.

“Çfarë është bërë në vend të kësaj, atëherë janë shërbyer me statistika të tatimpaguesve, të kontribuueseve në Trust dhe këto statistika sugjerojnë se po ka rritje të punësimit, për shkak se jepeshin subvencione që e nxiteshin formalizmin e përkohshëm të fuqisë punëtore, gjë që e krijonte një iluzion për sa i përket rritjes së vendeve të reja të punës”, përfundon ai.

“Ministri në hije” i Financave nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Arben Mustafa shprehet se Qeveria e drejtuar nga Albin Kurti po vazhdon me skema ad-hoc dhe populiste për sa i përket punësimit.

Mustafa ka theksuar se realizimi i investimeve kapitale gjatë vitit 2022, ishte më i ulëti se në vitin 2010.

“Në nëntë muajt e parë të vitit 2022 janë realizuar vetëm 20 për qind të investimeve të projektuara. Kosova gjatë vitit 2022 ka pasur investime kapitale më pak se që ka pasur në vitin 2010, ku shpenzimet e qeverisë kanë qenë vetëm 1.2 miliard euro”, ka theksuar Mustafa.

Ai vijon se Qeveria e Kosovës po i zëvendëson investimet kapitale me subvencione.

“Këtu flasim për një mosinteresim të kësaj qeverie, pasi është e prirë t’i zëvendësoj investimet kapitale me subvencione të ndryshme. Ato para që kanë qenë të destinuara për investime kapitale nuk do të thotë se janë kursyer, por janë shpërndarë nga 50 euro e 100 euro nëpër skema të ndryshme”, vijon ai.

Mustafa i PDK-së: Qeveria me skema populiste, realizimi i investimeve kapitale më i ulët se në vitin 2010
Lexo po ashtu Mustafa i PDK-së: Qeveria me skema populiste, realizimi i investimeve kapitale më i ulët se në vitin 2010

“Kanë qenë skema ad-hoc apo popullsitë për të krijuar një përshtypje se qeveria po i ndihmon qytetarët, mirëpo janë ndihmuar në një mënyrë që nuk paraqet ndonjë përmirësim të qëndrueshëm të kushteve të jetesës”, shton Mustafa.

Koordinatori i Departamentit për Financa në Kabinetin për Qeverisje të Mirë në PDK, vë në pah se të hyrat e mbledhura nga qeveria janë shfrytëzuar për të financuar importin.

“Të hyrat e mbledhura nga qeveria janë shfrytëzuar për të financuar importin e vendeve të ndryshme, përfshirë importin e Serbisë që ka lulëzuar në këtë periudhë. Pra, e vërteta qëndron se nuk e ka prioritet sektorin privat”, potencon ai.

Po ashtu, Mustafa tregon se vlera e eksporteve është për 16 për qind më e ulët se sa prilli i 2022-së.

“Gjatë kulmit të krizës thoshin se eksportet e Kosovës po lulëzonin. Ajo që ndodhte ishte një fryrje e vlerës së eksporteve për shkak të rritje së çmimeve, për derisa sasia e mallrave te eksportuara binte vazhdimisht. Për këtë vit nuk e kanë më atë efektin e rritjes së çmimeve që e kishin, ku po e shohim se ka rënie të eksporteve edhe në vlerë”, tregon Mustafa.

“Në prill të këtij viti, vlera e eksporteve është për 16 për qind më e ulët se sa prilli i 2022-së, ndërsa sipas kësaj qeverie kemi pasur një bum ekonomik, për derisa sasia e eksporteve binte por rritja e çmimeve e paraqiste një rritje të vlerës”, përfundon ai.

Në këtë intervistë, Mustafa ka folur edhe për atë siç e ka quajtur ai, propagandën që po e bën Qeveria e Kosovë lidhur me zhvillimin ekonomik të vendit si dhe kapjen e bordeve publike nga politika. /Telegrafi/