Prokuroria e Pejës ngrit aktakuzë për vrasje të dyfishtë në Klinë

Prokuroria Themelore në Pejë, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit J.H., për shkak të veprës penale “Vrasje e rëndë”, sipas nenit 173 paragrafi 1, pika 1.5 dhe 1.11 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas aktakuzës, ngjarja ka ndodhur më 13 nëntor 2024, rreth orës 14:11, në një lokal në qendër të Klinës, ku i pandehuri dyshohet se me dashje ka privuar nga jeta viktimat R.Sh. dhe A.Sh., duke shtënë me armë zjarri në drejtim të tyre gjatë një bisede të zhvilluar në tavolinën ku ishin ulur së bashku.
I pandehuri kishte kontaktuar paraprakisht viktimat përmes rrjetit social Facebook, duke caktuar një takim në lokal, e pas disa minutash bisedë, ai dyshohet se ka nxjerrë armën nga xhaketa dhe ka shtënë në drejtim të tyre. Njëri nga dëshmitarët në vendin e ngjarjes, vëllai i viktimës R.Sh., ka ndërhyrë për të ndalur sulmin, duke e neutralizuar të pandehurin, i cili më pas është larguar nga vendi i ngjarjes.
Si pasojë e të shtënave, viktima A.Sh. ka humbur jetën në vend, ndërsa viktima R.Sh. është dërguar pa shenja jete në Spitalin Rajonal të Pejës.
Krahas akuzës për vrasje të rëndë, i pandehuri J.H. ngarkohet edhe me veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 366 paragrafi 1 i Kodit Penal.
Prokurori i çështjes, me rastin e ngritjes së aktakuzës, ka propozuar që i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit për veprat penale që i vihen në barrë./Telegrafi/
















































