Prokuroria Themelore në Pejë ka zhvilluar një takim koordinues ndërinstitucional me përfaqësues të Policisë së Kosovës, Drejtorisë Rajonale të Policisë në Pejë dhe Njësitit për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, Drejtorisë së Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), Inspektoratit të Punës, drejtorive të inspekcioneve komunale në rajon dhe përfaqësues të misionit të EULEX.

Takimin e udhëhoqi Kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj, e cila theksoi nevojën për intensifikimin e veprimeve nga secili institucion dhe forcimin e bashkërendimit ndërinstitucional në bashkëpunim me Prokurorin e Shtetit dhe Policinë e Kosovës.


Gjatë takimit, u kërkua nga inspektorët e ATK-së, Inspektoratit të Punës dhe mekanizmave të tjerë përgjegjës që të shtojnë përkushtimin dhe angazhimin në inspektimin e subjekteve që janë nën përgjegjësinë e tyre, me qëllim identifikimin dhe trajtimin e shkeljeve të mundshme ligjore.

Në përfundim të takimit u nxorën disa konkluzione të përbashkëta, të cilat pritet të shërbejnë për rritjen e bashkëpunimit ndërinstitucional, forcimin e sundimit të ligjit, si dhe për zbulimin, ndëshkimin dhe parandalimin e veprave penale. /Telegrafi/