Profesoresha Remzije Istrefi nderohet me Çmimin për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut nga Universiteti i Teksasit

Profesoresha e Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës dhe gjyqtarja e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Remzije Istrefi, është nderuar me Çmimin për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut nga Universiteti i Teksasit.
Ky çmim iu dha për kontributin e saj të jashtëzakonshëm në promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut ndër vite.
Ceremonia e ndarjes së çmimit u mbajt në përmbyllje të Samitit Global për Drejtësinë Kushtetuese, ku Istrefi u vlerësua për angazhimin e saj të palodhur në fushën e drejtësisë kushtetuese.
Prof. Richard Albert, drejtor i Qendrës për Studime Kushtetuese-Globale në Universitetin e Teksasit, theksoi se “me punën e saj, Istrefi është shndërruar në një zë të fuqishëm të një gjyqtareje grua që angazhohet me përkushtim për të drejtat e njeriut”.
Gjatë fjalës së saj në ceremoni, profesoresha Istrefi theksoi se ky çmim nuk është vetëm një arritje personale, por edhe një frymëzim për ata që kanë refuzuar të heshtin përballë padrejtësive.
Ajo theksoi se ky çmim është një motivim i fortë për gratë dhe vajzat e Kosovës, historitë e të cilave kanë qenë frymëzimi i saj kryesor për të arritur deri këtu.
"Ky çmim është një frymëzim për gratë dhe vajzat e vendit tim, Kosovës, historia e të cilave ka qenë shtysa ime kryesore për të arritur deri këtu," tha Istrefi gjatë ceremonisë së pranimit të çmimit. /Telegrafi/








































