LAJMI I FUNDIT:

Prodhuesi holandez zbulon modelin e ri, vetura merr emrin pas një foshnje

Prodhuesi holandez zbulon modelin e ri, vetura merr emrin pas një foshnje

Pas 25 vitesh Donkervoort i jep fund bashkëpunimit me Audi. Prodhuesi holandez i veturave prezantoi një model të ri, P24 RS, i cili i qëndron besnik filozofisë së konstruksionit ultra të lehtë, por me një ndryshim të madh – nuk do të përdorë më motorin me pesë cilindra të Audi.

Pasi F22 Final Five shënoi fundin e një epoke, Donkervoort ka njoftuar tani një veturë të re, transmeton Telegrafi.

Emri P24 RS ndjek traditën e markës – shkronja “P” i referohet Phébe, vajzës së dytë të Denis Donkervoort, ndërsa numri “24” tregon vitin e lindjes së saj – 2024.


Një sistem i ngjashëm u përdor në modelin F22, i quajtur pas vajzës së parë të Denisit, Filippa, e lindur në 2022.

Emërtimi RS vjen nga modeli D8 270 RS, i cili në vitin 2006 vendosi rekordin për veturat serike në Nurburgring Nordschleife legjendar.

Aktualisht, dihet shumë pak për motorin që do të fuqizojë P24 RS.

Denis Donkervoort ka deklaruar se do të jetë një “model plotësisht i ri” dhe “teknologji plotësisht e re”, duke sugjeruar që motori mund të zhvillohet dhe prodhohet në Holandë.

Çfarëdo që Donkervoort të vendosë, një gjë është e sigurt – pritet një raport edhe më i mirë fuqi-peshë.

Nëse modeli i ri qëndron nën 750 kilogramë, ai mund të kryesojë F22, i cili përdorte 5 cilindrat turbo 2.5 litra të Audi me 500 kuaj fuqi.

Duke pasur parasysh se F22 përshpejtoi nga 0 në 100 km/h në vetëm 2.5 sekonda, modeli i ri mund të vendosë standarde të reja për sa i përket performancës dhe dinamikës së drejtimit. /Telegrafi/