Prishtina në krizë, Abdixhiku i drejtohet Kurtit dhe Muratit: Mos luani me qytetarët

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka reaguar ashpër ndaj situatës së krijuar në kryeqytet për shkak të ndërprerjes së transportit publik dhe vonesave në pagesat për punëtorët e Trafikut Urban.
Sipas Abdixhikut, bllokada e buxhetit të komunës nga Qeveria e Kosovës është një veprim politik që dëmton drejtpërdrejt qytetarët e Prishtinës.
“Kur bllokada 10 mujore e shtetit mori fund, vendosën të bllokojnë Prishtinën. Sepse nuk dinë më shumë. Kjo është mendja e tyre. Jetojnë për bllokadë, punojnë për bllokadë, ushqehen me bllokadë!”, shkroi ai, përcjell Telegrafi.
Kryetari i LDK-së shtoi se pas këtij vendimi janë qytetarët që mbeten pa shërbime bazike, fëmijët pa mësim dhe punëtorët pa paga, ndërsa pushteti në vend të arsyes ushtron “hakmarrje politike” ndaj Prishtinës.
“Popullistët nuk duan ta kuptojnë se kur bllokojnë buxhetin e Kryeqytetit, nuk e bllokojnë LDK-në. E bllokojnë jetën e qytetarëve të vet”, theksoi më tej Abdixhiku.
Ai po ashtu deklaroi se Kryeqyteti kërkon vetëm fondet e veta, rreth 35 milionë euro të mbledhura nga taksat komunale dhe grantet, të cilat sipas tij po mbahen peng për interesa politike. “Prishtina nuk i kërkon paratë e vitit 2026, por të këtij viti, që ka tashmë buxhet; jemi ende në vitin 2025. Pengmarrja e kryeqytetit është akti më i rëndë i Albin Kurtit dhe pushtetit të tij”, tha Abdixhiku.
Ai përfundoi me mesazhin se Prishtina nuk do të mbahet peng nga bllokuesit politikë dhe se qytetarët do të vazhdojnë të kërkojnë shërbimet që u takojnë. /Telegrafi/


































