Kryeqyteti i Kosovës ka hapur për herë të parë një fushë futbolli dedikuar vetëm vajzave, një hap i rëndësishëm për promovimin e barazisë dhe mundësive në sport.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë të ditur se kjo hapësirë ofron mundësinë për vajzat nga 5-vjeçaret e deri te senioret të ëndërrojnë, të garojnë dhe të zhvillojnë talentin e tyre në futboll, pa asnjë pagesë.


Aktivitetet organizohen nga Klubi Futbollistik Vizioni (KFV) Prishtina, i cili prej fillimit ka hapur dyert për vajzat e kryeqytetit.

“Fusha e futbollit për vajza është më shumë se sport: është barazi, mundësi dhe një premtim për një gjeneratë vajzash që rriten të gatshme të arrijnë majat”, tha Rama, duke theksuar përkrahjen e vazhdueshme të kryeqytetit për këtë iniciativë, përcjell Telegrafi.

Ky hap simbolik dhe praktik synon të inkurajojë pjesëmarrjen e vajzave në sport dhe të rrisë mundësitë për zhvillimin e tyre në futboll dhe aktivitete të tjera sportive. /Telegrafi/