LAJMI I FUNDIT:

Prezantohet Tiranë, fjalori i turqizmave në gjuhët e Ballkanit

Prezantohet Tiranë, fjalori i turqizmave në gjuhët e Ballkanit

Gjatë një aktiviteti në Tiranë, është prezantuar “Fjalori i turqizmave të përbashkëta në gjuhët e Ballkanit”, me autore Lindita Latifi Xhanarin. Fjalori ka si objekt evidentimin e turqizmave të përbashkëta në tetë gjuhë të Ballkanit, në shqip, rumanisht, bullgarisht, serbisht, greqisht, maqedonisht, boshnjakisht dhe kroatisht.

Xhanari në fjalën e saj tha se botimi i këtij fjalori vjen në radhë pas gjithë punëve të realizuara për studimin e ndikimeve të gjuhës turke në gjuhën shqipe.

“Njohja me kolegët dhe diskutimi me ta për pikëpamje të ndryshme për çështjet e turqizmave në gjuhët e Ballkanit më ka formësuar dhe dhënë dijen e nevojshme që të vazhdoja të hartoja fjalorin e turqizmave ballkanike”, deklaroi autorja e fjalorit.


Duke folur për punën për hartimin e fjalorit, ajo tha se ka punuar mbi një literaturë të gjerë me rreth 146 fjalorë, studime të drejtpërdrejta në lidhje me turqizmat në gjuhët e Ballkanit dhe 250 studime në lidhje me ndikimet e gjuhës dhe kulturës turke në gjuhët dhe kulturat e Ballkanit.

Më tej gjatë fjalës së saj, ajo tha se një nga synimet e saj gjatë punimit të fjalorit ka qenë hartimi i një produkti shkencor që të jetë i dobishëm për punën shkencore të kolegëve dhe studentëve në të ardhmen, pasi sipas saj, materiali që paraqet fjalori jep mundësi për studime të mëtejshme në fushën e fonetikës krahasuese, morfologjisë dhe semantikës.

Fjalori në turqisht është botuar në Turqi nga Universiteti i Pamukkalesë dhe përmban rreth 5000 huazime.