LAJMI I FUNDIT:

Preteksti (i munguar) humanitar

Preteksti (i munguar) humanitar

Qendra humanitare ruso-serbe, e deklaruar si qendër regjionale(ballkanike) për situata të jashtëzakonshme, verën e vitit 2018 po priste thirrje zyrtare nga Greqia, për të ndihmuar në fikjen e zjarrit të përmasave katastrofale, që mori dhjetëra jetë njerëzish. Lufta me zjarrin i tejkalonin kapacitetet e Greqisë për t’u përballur me tragjedinë. Por, thirrja nuk po arrinte në këtë qendër, me pretendimet të jetë më e madhja në rajon për menaxhimin e situatave të jashtëzakonshme, punëtorët e së cilës qendër në fakt janë punonjës të Ministrisë ruse për Situata të Jashtëzakonshme. Greqia, e më vonë edhe vendet tjera të Ballkanit, si Maqedonia e Veriut e Mali i Zi të cilat fillimisht llogarisnin në “shërbimet e saj”, kur u afruan me NATO-n u larguan nga kjo qendër, ndaj ajo e humbi rëndësinë që pretendonte se e kishte (aq më tepër që zyrtarë të lartë ushtarakë të NATO-s dhe vendeve perëndimore kishin deklaruar se misioni humanitar rus është fasadë për angazhime jokonvencionale, që do të thotë se janë më tepër krijues sesa menaxhues të situatave të jashtëzakonshme).

Këto ditë, kryeministri i Kosovës foli për skenarin e Serbisë për të shkaktuar artificialisht krizë humanitare në veri të Kosovës dhe la të kuptohet se nuk do të lejojë që ajo të krijohet artificialisht dhe aq më tepër që dikush nga jashtë ta menaxhoj si situatë të jashtëzakonshme. Sa herë krijohen krizat dhe Qeveria serbe përpara faktorit ndërkombëtar tregon “duart e pastra”, atëherë fillojnë thashethemet nëpër media dhe kuluare, lidhur me aktivitetitn e Qendrës ruso-serbe e cila për shkak të kapaciteteve dhe misionit rajonal që ka, vështirë se mund të pajtohet me mospërfshirje në një “krizë humanitare” në Kosovë, Maqedoni të Veriut, Mal të Zi apo Bosnje dhe Hercegovinë (BeH).


Ideja që po plasohet në Beograd, se si pasojë e taksës së aplikuar nga Qeveria e Kosovës, për mallrat e Serbisë, në veri të Kosovë është shkaktuar mungesë e madhe e gjërave të domosdoshme për jetesë, përfshirë ilaçet, i ka shqetësuar strukturat e sigurisë ndërkombëtare dhe vendore, përfshirë këtu edhe mbështetjen e dyshuar logjistike e zyrtare për kontrabandimin drejt Kosovës.

Krizat humanitare janë përdorur si pretekst legjitim, për të ndërhyrë në vende sovrane, dhe kjo merr karakter global pas ndërhyrjes së bashkësisë ndërkombëtare, për të evituar katastrofën humanitare në Kosovë. Por, edhe historia e luftërave në Ballkan, sidomos në BeH, njeh (keq)përdorimin e pretekstit humanitar për t’u përfshirë apo për të ndërmarrë veprime politike, e sidomos ushtarake.

Për shembull, këto ditë, mediat shqiptare në përgjithësi nuk i dhanë asnjë publicitet një ngjarjeje e cila 27 vjet më parë ishte e iniciuar pikërisht nga një krizë humanitare, për shkak të bllokadës kroate dhe boshnjake të rrugës që e lidhte pjesën perëndimore të Republikës Serbe me atë lindore dhe Serbinë. Aso kohe, spitali i Banjallukës, i cili ishte pjesë e sistemit shëndetësor serb, kishte mbetur pa oksigjen dhe barëra esenciale dhe si pasojë vdiqën disa foshnje dhe pacientë që kishin nevojë për hemodializë. Në rrethana të tilla, komandanti i një brigade të motorizuar serbe, kishte marrë urdhër për veprime luftarake, që të hapte rrugën nëpër zonën që serbët do të e quajtën si “Korridori i jetës”, I cili lidhte dy pjesët e ndara të entitetit serb në BeH, mes vete dhe me vetë Republikën e Serbisë. Pa këtë korridor, entiteti unik serb në BeH do të ishte i pamundur.

Edhe sot e kësaj ditë ka debate a ishte reale kriza humanitare që mori aq jetë fëmijësh apo e inskenuar. Sidoqoftë, ofensiva serbe dëshmoi se ishte pretekst i mjaftueshëm për të legjitimuar veprimet ushtarako e politike, të cilat sollën deri te konsolidimi i entitetit serb në BeH dhe federalizimi faktik i saj. Kjo e ndërroi situatën e pafavorshme për serbët. Përderisa bashkësia ndërkombëtare e sheh BeH-në si unike, Serbia edhe sot e kësaj dite, me mbështetjen ruse, po angazhohet fuqishëm që ajo të shkëputet dhe të bashkohet me të, sikurse që e luan edhe lojën me korridoret dhe me autonominë e veriut serb në Kosovë. Në fakt, e gjithë kjo paraqet konturat e planit ruso-serb që Serbia sërish të jetë qendra e një konstrukcioni të ri politik në Ballkanin perëndimor, si kundërpeshë e asaj që ata e quajnë Shqipëria e Madhe për të cilën pohohet se mbështetet nga SHBA dhe BE.

Sakrifikimit dhe viktimizimi i civilëve në funksion të qëllimeve nacionale dhe shtetërore serbe, është listuar si taktikë e shpeshtë dhe e rrezikshme serbe, e cila provonte të ndërtonte pretekstin mbi çfarëdo që mund të duket motiv humanitar. Nga përvoja e paraluftës kemi aq shumë shembuj inskenimesh, deri në groteskë si rasti Martinoviq, apo edhe deri hyrjet banale të bagëtisë “shqiptare” nëpër arat “serbe”, çka interpretohej nga makineria propaganduese si presion i shqiptarëve për spastrim etnik. Nën pretekstin e mbrojtjes së serbëve, kontrabandohet ideja e rikthimit të shtetit të përbashkët.

Dy dekada pas lufte, tashmë ka shumë arsye për të besuar se edhe momente tjera dramatike, dhe akte terroriste të jenë inskenuaruar pikërisht për të krijuar një pretekst humanitar, për të ndërhyrë dhe rikthyer Kosovën në kuadër të Serbisë dhe në zonën ruse të interesit. Ngjarjet e vitit 2004 supozohet të jenë kulmi i këtij aktiviteti, i penguar vetëm nga vendosmëria dhe rezistenca e fuqishme e NATO-s në Kosovë.

Por, a ka krizë humanitare në veri?

Serbët, të motivuar politikisht, pranojnë vetëm furnizimet serbe dhe refuzojnë të furnizohen nga pjesa tjetër e Kosovës, duke keqpërdorur kështu pretekstin humanitar për të mbajtur Serbinë prezente politikisht, e më vonë, sipas planit, edhe ushtarakisht në Kosovë. Përderisa komuniteti serb në Kosovë nuk ka hapur dialog të brendshëm për të ardhmen e tyre në Kosovë, ata do të vazhdojnë të mbeten pengje të strukturave që krijojnë kriza, mbi motive të qena apo paqena humanitare dhe të ëndërrojnë kthimin në gjendjen e para vitit 1999 kur NATO e bombardoi Serbinë dhe hyri në Kosovë duke larguar ushtrinë, policinë dhe paramilitarët serb.

Diçka po zihet, thonë të informuarit dhe të shqetësuarit. Po kërkohet preteksti për të ndërhyrë dhe thyer status kuonë e pafavorshëm për Serbinë euroaziatike dhe aleaten e saj të fuqishme, Rusinë, e cila kurrsesi të pajtohet se nuk është pjesë e menaxhimit të situatave të jashtëzakonshme, pavarësisht arsyeve apo strukturave që i kanë krijuar. Plani Vuçiq-Thaçi, për ndryshim me pajtim të dyanshëm të kufirit Kosovë-Serbi, si duket ka ra përfundimisht, ndërkohë që duket se vetëm lëvizja e kufijve ka potencial për të rrezikuar gjithçka që u krijua 30 vitet e fundit..!

Çka po zihet? Çfarë preteksti?