Presidentja Osmani: Kosova është e bekuar me mbështetjen e Emirateve të Bashkuara Arabe

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani gjatë qëndrimit në Emiratet e Bashkuara Arabe është takuar me presidentin e Emirateve, Sheikh Mohamed bin Zayed Al Nahyan.
E para e shtetit theksoi se Kosova është e bekuar me mbështetjen e vazhdueshme të Presidentit Mohamed bin Zayed dhe të të gjithë popullit të Emirateve.
“E nderuar me mikpritjen dhe diskutimet gjithnjë përmbajtësore me Presidentin e Emirateve, Lartmadhërinë e Tij, Sheikh Mohamed bin Zayed Al Nahyan, të cilin e falënderova për lidershipin e tij vizionar dhe për mbështetjen e vazhdueshme për Kosovën, që nga ditët më të vështira e deri më sot. Përgjatë viteve, kemi hapur një epokë të re të partneritetit ndërmjet dy vendeve tona, nga liberalizimi i vizave e deri te kontributet e çmuara të Emirateve në fusha konkrete të zhvillimit”, theksoi Osmani.

Presidentja e vendit tha tutje se ka shprehur mirënjohjen e popullit të Kosovës për kontributin e Emirateve në fushën e shëndetësisë, si dhe për vijimin me projektin e rëndësishëm të ndërtimit të spitalit të ri të gjinekologjisë, i mbështetur në dakordimin tonë të mëhershëm.
“Po ashtu, e vlerësoj lart mirëkuptimin e plotë dhe mbështetjen e Presidentit për projektet e reja në fushën e shëndetësisë dhe në fusha të tjera zhvillimore që i prezantuam dje. Kosova është e bekuar me mbështetjen e vazhdueshme të Presidentit Mohamed bin Zayed dhe të të gjithë popullit të Emirateve”, tha ajo. /Telegrafi/





















































