Presidenti Ademi mesazh urimi për katër vjetorin e pranimit të Kosovës në UEFA

Kanë kaluar katër vite që nga pranimi i Federatës së Futbollit të Kosovës në shtëpinë më të madhe të futbollit në Evropë, UEFA.
Ishte 3 maji i vitit 2016, kur Kosova morri besimin e 28 vendeve anëtare të UEFA-së për tu bërë federata më e re që pranohet në shtëpinë më të madhe të futbollit në Evropë.
Izolimit 25-vjeçar i erdhi fundi atë pasdite të 3 majit në vitin 2016 në Budapest, ku pas shumë përpjekjeve Kosova më në fund u pranua.
FFK mori 28 vota pro, 24 të tjera kundër ndërsa dy abstenuan, për tu bërë anëtarja e 55-të e UEFA-së.
E në katër vjetorin e pranimit të Kosovës në UEFA një mesazh urimi ka lëshuar edhe presidenti aktual i FFK-së, Agim Ademi.
Mesazhi i plotë i Agim Ademit:Të nderuar drejtues të klubeve, futbollistë, trajnerë, gjyqtarë, ish-zyrtarë të futbollit, ish-futbollistë, anëtarë të FFK-së, ju Dardanë e tifozë tjerë të klubeve, partnerë afaristë, sponsorë e donatorë, gazetarë sportivë; Të nderuar qytetarë të Kosovës! Katër vjet më parë ëndrra jonë e madhe u bë realitet. Kosova përfundimisht u bë anëtarja e 55-të e UEFA-s në Kongresin e Budapestit më 3 maj, 2016. Kësisoj, kjo datë hyri në analet e historisë së futbollit tonë, duke e shënuar thyerjen e izolimit prej 25 vjetësh. Anëtarësimi në familjen evropiane të futbollit e kurorëzoi sakrificën e shumë gjeneratave të futbollit, donatorëve që e mbajtën gjallë futbollin dhe punën e guximshme e të palodhshme të drejtuesve të Federatës, që nga kryetari i parë pas mëvetësimit, Agim Bytyçi me KE, pastaj Rexhep Abdullahu me KE, Sabri Hashani me KE e që gjithçka u finalizua nën udhëheqjen e legjendës Fadil Vokrri. Këtë përvjetor sivjet po e shënojmë në kushte të pazakonta, ku e gjithë bota është në një lloj izolimi nga pandemia Covid-19 dhe si rrjedhojë është pezulluar edhe aktiviteti i futbollit. Pa dyshim, ne, si popull dhe si komunitet i futbollit në Kosovë, e dimë më mirë se kushdo tjetër se çfarë do të thotë të jetosh e të veprosh në kushte izolimi. Megjithatë, edhe në rrethana të tilla asnjëherë nuk na u zmbraps dëshira, vullneti dhe përkushtimi për ta mbajtur të gjallë futbollin e Kosovës dhe për ta bërë atë pjesë të familjes së madhe UEFA. Personalisht besoja se ky përvjetor do të na gjente me biletën e siguruar për Euro 2020, por fati ishte i tillë që kalendari i garave ndryshoi si pasojë e Coronavirusit dhe tani realizimi i ëndrrës sonë madhore për kualifikim në Evropian u shty për disa muaj.
/Telegrafi/















































