Premiera dhe rikthime në skenë - repertori i qershorit në teatrin e Gjilanit
Teatri i Qytetit të Gjilanit ka publikuar programin artistik për muajin qershor, duke ftuar të gjithë artdashësit të ndjekin shfaqjet që do të ngjiten në skenë gjatë këtij muaji.
Me një repertor të larmishëm, teatri premton emocione të forta dhe përjetime të paharruara për publikun.
Në këtë muaj pritet të vihen në skenë disa prej veprave më të mira teatrore, përfshirë edhe dy premiera. Qershori hapet me shfaqjen “God Bless America”, e shkruar dhe e regjisuar nga Fatos Berisha.
Kjo shfaqje rrëfen historinë e katër miqve që, të shtyrë nga dëshira për një jetë më të mirë, përfshihen në shitjen e Biblave dhe materialeve religjioze nëpër Amerikë. Të trajnuar nga një specialist marketingu dhe të mbështetur nga kisha, ata udhëtojnë nga shteti në shtet, duke u përballur me kontrastet dhe absurditetin e një “xhungle moderne”.
Më 10 qershor, në skenë rikthehet komedia “Togeri nga Inishmori” nga Martin McDonagh, nën regjinë e Shkëlzen Berishës. Shfaqja është e përshtatshme për audiencën mbi 16 vjeç, përmban skena me krisma armësh dhe nuk rekomandohet për fëmijë apo gra shtatzëna.
Nga 19 qershori, Teatri i Qytetit do të jetë pjesë e FemArt Festival – Prishtinë, ku do të shfaqet vepra “Jam unë Ajo”, nga Valmira Thaqi dhe Dituri Neziraj. Një rrëfim i fuqishëm mbi zërin dhe identitetin e gruas, që sjell në skenë emocione të ndjeshme dhe mesazhe të thella shoqërore.
Ndërkohë, më 21 dhe 22 qershor, publiku do të ketë mundësinë të ndjekë premierën “Chatroom” nga Enda Ëalsh, me regji të Erson Zymberit dhe produksion nga Elton Tahiri. Kjo vepër flet për adoleshencën, ndikimin e internetit dhe fuqinë e fjalës, duke prekur temat e errëta që shpesh shfaqen në hapësirat virtuale.
Muaji do të mbyllet më 30 qershor me premierën e shfaqjes “Gënjeshtra” nga Florian Zeller, në regji të Ekrem Sopit. Një dramë e thellë për të vërtetat që (nuk) i themi, që ngre pyetje të ndërlikuara mbi besimin, moralin dhe marrëdhëniet njerëzore.
Të gjitha shfaqjet fillojnë në ora 20:00, dhe teatri fton publikun që të jetë pjesë e këtij udhëtimi artistik përgjatë muajit qershor. /Telegrafi/






























