Liderët e partive shqiptare në Maqedoninë e Veriut kanë uruar Albin Kurtin për fitoren e tij në zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Mesazhe urimi kanë dërguar kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, liderët e koalicionit VLEN dhe lideri i ASH-së, Arbe, Taravari, shkruan Telegrafi Maqedoni.

Kryetari i Kuvendit të RMV-së, Afrim Gashi në urimin e tij thotë se fitorja e fundit e Kurtit dëshmon besimin dhe mbështetjen për vizionin dhe përkushtimin e Lëvizjes Vetëvendosje.


"Uroj veçanërisht Kryeministrin z. Albin Kurti për fitoren dinjitoze. Ky rezultat zgjedhor konfirmon besimin dhe mbështetjen qytetare për vizionin dhe përkushtimin e Lëvizjes Vetëvendosje. Përgëzoj gjithashtu të gjitha subjektet politike për pjesëmarrjen konstruktive, si dhe qytetarët e Kosovës për kulturën dhe pjekurinë demokratike që kanë treguar", shkruan Gashi.
Liderët e VLEN-it poashtu i kanë dërguar mesazhe urimi Kurtit.

Mesazh urimi për Kurtin ka ardhur edhe nga lideri i BDI-së, Ali Ahmeti.

"I përgëzoj qytetarët e Republikës së Kosovës për procesin zgjedhor në të cilin dëshmuan maturi dhe pjekuri të lartë demokratike. U zhvillua një proces i lirë, i ndershëm dhe plotësisht demokratik, në përputhje me standardet evropiane, duke konfirmuar forcën e institucioneve dhe vullnetin e lirë të qytetarëve të Kosovës.

Urime Lëvizjes Vetëvendosje dhe Kryeministrit Albin Kurti për fitoren e shënuar! Kosova ka nevojë për stabilitet, zhvillim dhe vizion të qartë shtetëror, në shërbim të qytetarëve të saj", shkruan Ahmeti.

Izet Mexhiti në urimin e tij shkruan se zgjedhjet demokratike të zhvilluara sot, e rikonfirmojnë që Kosova tashmë ka krijuar një traditë të mirëfilltë demokratike, ku ka garë ferr dhe të drejtë.

"I dashuri Albin, është kënaqësi e madhe të shoh fitoren tuaj të re, edhe më të madhe se në zgjedhjet e kaluara. Zgjedhjet demokratike të zhvilluara sot, e rikonfirmojnë që Kosova tashmë ka krijuar një traditë të mirëfilltë demokratike, ku ka garë fer dhe të drejtë", shkruan Mexhiti.

Bilall Kasami, kryetar i Lëvizjes Besa dhe njëri nga liderët e VLEN-it, thotë se Lëvizja Vetëvendosje ka arritur fitore të jashtëzakonshme.

"Uroj që procesi i formimit të institucioneve të shkojë shpejt e mbarë, duke reflektuar vullnetin qytetar të shprehur sot. Mezi pres ta vazhdojmë bashkëpunimin ndërshtetëror me Qeverinë Kurti 3", shkruan Kasami.

Fitoren e Kurtit e uruan edhe zv. kryeministrat Bekim Sali dhe Arben Fetai.

"I përgëzoj të gjitha subjektet politike për pjesëmarrjen dhe kontributin e tyre në këtë proces të rëndësishëm. Shpresojmë që institucionet e reja të konstituohen sa më shpejt, në frymë bashkëpunimi dhe uniteti, për t’u përballur me sfidat dhe për të vazhduar rrugën e zhvillimit, integrimit, stabilitetit dhe mirëqenies për të gjithë qytetarët", shkruan Sali.

"Urime edhe qytetarëve dhe institucioneve të Kosovës për maturinë e lartë demokratike të treguar gjatë procesit zgjedhor.Jam i bindur se ky mandat i fuqishëm do të shndërrohet në punë të guximshme, vendime të drejta dhe rezultate të prekshme që do të forcojnë shtetin dhe do të përmirësojnë jetën e të gjithë qytetarëve të Kosovës. Si Qeveri e Maqedonisë së Veriut, mezi presim të vazhdojmë bashkëpunimin dhe projektet e përbashkëta për një Ballkan më të zhvilluar, më të begatë dhe më të sigurt", shkruan Fetai.

Mesazhe urimi ka pasur edhe nga lideri i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari.

Lajmet nga Kosova flasin për fitore të Vetëvendosjes dhe Albin Kurtit të cilin populli i Kosovës i besoi sërish drejtimin e vendit! Urime Vetëvendosjes e Kurtit! I priftë vetëm e mira në punën e tyre!", shkruan Taravari.

Mesazh urimi ka dërguar edhe kryetari i ASH-së, krahu i Ziadin Selës, nga ku urojnë të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës për zhvillimin e një procesi zgjedhor, demokratik, me standarde të larta edhe një interesim të jashtëzakonshëm për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre.

"Dëshirojmë që sa më shpejtë ta shohim Kosovën me institicione të kompletuara, stabile dhe me një progres në të gjitha fushat dhe bashkërisht të vazhdojmë rrugëtimin tonë drejt Bashkimit Europian dhe kombeve të zhvilluara demokratike", thotë Sela./Telegrafi/