Policia nis hetimet për vdekjen e 82-vjeçarit në Suharekë, u gjet në veturën e djegur

Më datë 04.05.2025, rreth orës 14:24, një qytetar ka raportuar në polici se në fshatin Leshan, komuna e Suharekës, në një vend të njohur si "Tuma", ishte duke u djegur një veturë, dhe brenda saj ndodhej një person i përfshirë nga flakët.
Menjëherë pas raportimit, patrulla policore ka dalë në vendin e ngjarjes dhe janë njoftuar të gjitha njësitë përgjegjëse për rastin, përfshirë: zjarrfikësit, emergjencën, Sektorin e Hetimeve të Stacionit Policor në Suharekë, Sektorin Rajonal të Hetimeve dhe ekspertin e zjarrvënieve.
Sipas informacioneve paraprake, dyshohet se viktima është M.G., mashkull, 82 vjeç, i cili ndodhej brenda automjetit të tij kur u përfshi nga zjarri.
"Nga informatat e para dyshohet se te vendi i quajtur ‘’Tuma’’ personi M.G. mashkull 82 vjeçar i cili ishte brenda automjetit të tij ishte përfshirë tërësisht nga zjarri, me atë rast personi i cili kishte mbetur brenda ishte i djegur tërësisht me gjithë veturën në vend", ka deklaruar për Telegrafin zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi.
Fatkeqësisht, ai ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes dhe është djegur plotësisht së bashku me veturën.
Në konsultim me prokurorin kompetent, është hapur rasti me cilësimin “Hetim i vdekjes”. Hetimet lidhur me këtë rast po vazhdojnë nga Sektori Rajonal i Hetimeve i Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prizren./Telegrafi/
















































