Policia malazeze ndalon “Arpagjikët” pas grafitit me mbishkrimin UÇK

Nënkampioni i Kosovës në basketboll, Bashkimi, ka reaguar ndaj ndalimit të tifozëve të tyre, “Arpagjikëve”, në Mal të Zi, për shkak të një grafiti me mbishkrimin “UÇK”.
Përmes një reagimi zyrtar në rrjetet sociale, Bashkimi ka kërkuar sa më parë lirimin e tyre.
“Është e papranueshme që Arpagjikët të ndalohen në Mal të Zi vetëm për një grafit të shkruar UÇK. Ata nuk kanë kryer asnjë krim, e megjithatë po mbahen padrejtësisht. Solidariteti me ta është i pakushtëzuar! I bëjmë thirrje organeve përgjegjëse dhe veçanërisht ambasadës së Republikës së Kosovës në Mal të Zi për reagim dhe mbrojtje të tifo grupit Arpagjikët si qytetarë të Kosovës dhe të kujdesen që djemtë tanë të lirohen, të mos mbahen padrejtësisht, dhe të vazhdojnë rrugën për Kosovë!”, thuhet në reagimin e Bashkimit.
Sipas mediumit malazez Vijesti, incidenti ndodhi të enjten në mbrëmje, kur autobusi me tifozët e klubit prizrenas u ndalua nga policia në Meljine, pasi në një mur ishte shkruar grafiti “UÇK”.
Ndërkohë, portali RTHN raportoi se dy shtetas të Kosovës janë shoqëruar në stacionin policor të Herceg Novit. Në pamjet e publikuara nga mediat malazeze shihet prania e forcave policore pranë autobusit të tifozëve.
Në faqen zyrtare të “Arpagjikëve” në rrjete sociale, postimi i fundit është bërë nga Italia të mërkurën, një ditë përpara incidentit.
Kujtojmë se Bashkimi të mërkurën mbrëma zhvilloi ndeshjen e dytë të Grupit J në “FIBA Europe Cup”, në udhëtim ndaj skuadrës italiane Pallacanestro Reggiana./Telegrafi/














































