Njësia Rajonale e Trafikut në Prishtinë ka intensifikuar aktivitetet në terren me qëllim të parandalimit të aksidenteve dhe ngritjes së nivelit të sigurisë rrugore në kryeqytet dhe zonat përreth.

Sipas njoftimit të Policisë, kontrollet po fokusohen kryesisht në shkeljet më të shpeshta që rrezikojnë jetën e pjesëmarrësve në komunikacion, si: mospërfillja e semaforëve, përdorimi i telefonit gjatë ngasjes, dhe mosvendosja e rripit të sigurisë, përcjell Telegrafi.


Përveç patrullave të rregullta, në terren janë angazhuar edhe vetura inteligjente, që ndihmojnë në identifikimin e kundërvajtjeve të tjera përmes teknologjisë së avancuar të monitorimit.

Gjatë ditës së djeshme, si rezultat i kontrolleve të shtuara: janë shqiptuar 118 tiketa për shkeljet e lartcekura, ndërsa 15 shoferëve u është konfiskuar përkohësisht patent-shoferi.

Policia Rajonale e Trafikut në Prishtinë u bën apel të gjithë drejtuesve të automjeteve dhe pjesëmarrësve në trafik që të respektojnë me përpikëri rregullat e qarkullimit, me qëllim të ruajtjes së sigurisë publike dhe jetës njerëzore në rrugë. /Telegrafi/