Policia e Kosovës pajis policët e lagjes me vetura të reja hibride

Policia e Kosovës ka ndërmarrë një hap tjetër drejt rritjes së efikasitetit dhe afërsisë me qytetarët, përmes pajisjes së policëve të lagjes me 19 vetura të reja hibride që do të përdoren në të gjitha drejtoritë rajonale të vendit.
Sipas njoftimit të institucionit, qëllimi i këtij veprimi është forcimi i policimit në bashkësi dhe përmbushja e objektivave të Strategjisë së Policimit të drejtuar nga Inteligjenca dhe Policimit në Bashkësi, duke mundësuar reagim më të shpejtë dhe më efektiv ndaj nevojave të komunitetit.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha, ka ndarë veturat e reja për sektorët ku shërbejnë policët e lagjes, duke theksuar rëndësinë e qasjes proaktive dhe të bashkëpunimit të vazhdueshëm me qytetarët.
Ky investim, sipas Policisë së Kosovës, tregon përkushtimin e menaxhmentit për forcimin e besimit të ndërsjellë mes policisë dhe komunitetit, si dhe për rritjen e transparencës dhe profesionalizmit në ofrimin e shërbimeve policore.















































