Agjenti i vetëshpallur i Shërbimit Informativ të Kosovës (SHIK), Nazim Bllaca, ka akuzuar deputetin e PDK-së, Azem Syla, për shumë vrasje që kanë ndodhur në Kosovës - pas çlirimit më 1999.

Lidhur me këto akuza, portali parrotlla.net ka raportuar sot se nga ana e EULEX-it pritet arrestimi i deputetit Syla.


Mirëpo, përderisa EULEX-i nuk mund të japë përgjigje për këtë - pasi që për këto raste kompetencat për komunikim i kanë bartur tek vendorët - Telegrafi ka kontaktuar zëdhënësen e Prokurorisë së Shtetit, Liridonë Kozmaqi.

"Nuk kam informata nëse pritet apo jo arrestimi i Azem Sylës", ka thënë shkurt Kozmaqi.

Ndërkaq, në Policinë e Kosovës kanë deklaruar se deri më tani nuk kanë marrë ndonjë urdhërarrest për arrestimin e deputetit Syla.

"Policia e Kosovës deri më tani nuk ka marrë ndonjë urdhërarrest të tillë", ka thënë për Telegrafin, zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani, duke kërkuar që për këtë gjë t'i adresohemi EULEX-it. /Telegrafi/