Policia e Kosovës dhe EULEX-i janë duke pritur marrëveshjet në Bruksel për të rregulluar çështjen e transportit të oficerëve policorë dhe atyre të doganave në veri, raporton RTK. Ndërkohë zëdhënësi i policisë së Kosovës, Brahim Sadriu, ka thënë se ende nuk është e qartë nëse EULEX-i do të vazhdojë të bëjë përcjelljen e tyre.

Sikur të martën edhe të mërkurën, grupe serbësh të dirigjuara nga Beogradi zyrtar, kanë bllokuar pjesë të caktuara të rrugëve në veri, në shenjë proteste kundër lejimit të kalimit të automjeteve të EULEX-it. Dy vetura të EULEX-it janë kthyer prapa në drejtim të Mitrovicës derisa rruga ishte e bllokuar.


Lëvizja nëpër rrugë tokësore për në Bërnjak dhe Jarinjë është pamundësuar që nga 25 korriku i vitit të kaluar, kur autoritet e Kosovës vendosën të marrin nën kontroll këto dy pika kufitare. Ndërsa përgjegjës për sigurinë, rendin dhe ligjin në atë pjesë të Kosovës, përpara institucioneve të Kosovës, janë ato ndërkombëtare, KFOR-i dhe EULEX-i. /Telegrafi/