Në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë ka nisur seanca e shqyrtimi gjyqësor kundër tre të akuzuarve për sulmin terrorist në Banjskë më 24 shtator 2023.

Në seancë do të dëgjohen sot pjesëtarët e Njësisë Speciale në cilësinë e dëshmitarëve Alban Rashiti në sesionin e paradites, ndërsa në sesionin e pasdites, Çlirim Shaqiri.


Nën masa të larta të sigurisë janë sjellur në gjykatore të akuzuarit, Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq, të cilët janë në paraburgim nga shtatori i vitit 2023.

Zyrtari i Njësisë Speciale, Alban Rashiti tashmë ka filluar dëshminë në gjykimin në rastin “Banjska”.  Ai kishte mbetur i plagosur në ditën kritike.

Rashiti tregoi se është zyrtar policor në Njësinë për Ndërhyrje të Shpejtë të Policisë së Kosovës, në kuadër të Njësisë Kufitare.

Ai tha se detyrë e tyre ka qenë patrullimi rreth zonës kufitare dhe se njësia e tyre është në kuadër të kufirit, për rrezikshmëri të lartë ku ata intervenojnë.

Spasojeviq, Toliq dhe Maksimoviq, janë arrestuar pas sulmit në Banjskë, kur një grup i armatosur serb sulmoi Policinë e Kosovës, ku mbeti i vrarë polici, Afrim Bunjaku.

Në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 9 tetor 2024 të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm.

Prokuroria Speciale e Kosovës më 11 shtator të vitit të kaluar ka ngritur aktakuzë kundër Milan Radoiçiqit dhe 44 të tjerëve për këtë rast. /Telegrafi/