LAJMI I FUNDIT:

POETI DHE TURMA

POETI DHE TURMA

Poezi nga: Théophile Gautier
Përktheu: Maksim Rakipaj

I tha një ditë fusha malit të përgjumur:
“Sado të fryj’ era, tek ti s’arrin o mal!”
Poetit të menduar mbi lirën përkulur,
Turma i tha: “Ç’na duhesh ti, ëndërrimtar?”

Mali i mërzitur, fushës i dha përgjigje:
“Unë e bëj të mbijë, në ty ç’është mbjellë;
Kur nga diell i drekës gjithçka gati digjet,
Veç unë mund t’i ndaloj retë lart në qiell!


Me duart e mia lëshoj borën në orteqe;
Nga krahërori im rrjedhin gjithë përrejtë,
Akujt i shkrij që tek unë me shekuj dergjen
Dhe të argjendtë rrjedhin, lumej që t’ushqejnë.”

U përgjigj poeti turmës, ashtu si diti:
“Prisni të mbështes ballin mbi duart e mia.
A s’e shihni që mua më gurgullon shpirti
Dhe burim bëhet, ku pi gjithë njerëzia?”