Podujeva përkujton dëshmorët Sami Plakolli dhe Hajdin Haliti në 27-vjetorin e rënies

Komuna e Podujevës ka organizuar homazhe për nder të dëshmorëve Sami Plakolli dhe Hajdin Haliti, në 27-vjetorin e rënies së tyre, duke vlerësuar kontributin dhe sakrificën e tyre për lirinë e vendit.
Në këtë aktivitet përkujtimor mori pjesë nënkryetari i komunës, Fahri Restelica, i cili theksoi rëndësinë e trashëgimisë së dëshmorëve për brezat e sotëm dhe të ardhshëm.
“Sakrifica e tyre mbetet udhërrëfyes për ne dhe brezat që do të vijnë”, u shpreh Restelica.
Në homazhe ishin të pranishëm edhe kryetari i Kuvendit Komunal, Isak Shabani, asamblistë të komunës, përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta, veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si dhe familjarë të dëshmorëve.
Sami Plakolli dhe Hajdin Haliti, pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ranë më 11 prill 1999 në fshatin Orllan, në vendin që sot njihet si Kodra e Dëshmorëve. Sakrifica e tyre konsiderohet si pjesë e rëndësishme e rrugëtimit drejt lirisë së Kosovës.
Nga Komuna e Podujevës u theksua se kujtimi për dëshmorët mbetet obligim i përhershëm institucional dhe qytetar. /Telegrafi/



















































