LAJMI I FUNDIT:

Pluhur dhe mjegull

Pluhur dhe mjegull rreth situatës së tanishme në Kosovë dhe në tërësinë e Shqipërisë etnike. Lind pyetja se këta liderë mos vallë na ka ardhur nga Jupiteri, apo Marsi, a ndonjë planet tjetër qiellor dhe nuk e njohin situatën në tërësinë etnike të Shqipërisë!?

Është për t’u habitur dhe për t’i vënë gisht kokës se ç’po ndodhë me kombin tonë, në momentet kur vije te udhëheqja politike, apo ardhja në pushtet? Këta sikur nuk kursejnë as një të ligë në mes vete, qoftë dikur për bajraktarizëm, qoftë sot për liderizëm. Si fakt i dokumentuar tek Shqipëria mëmë, e cila edhe e ka si për obligim ta udhëheq një politikë të ndërgjegjshme kombëtare në tërësi, pavarësisht se ku jetojnë shqiptarët, ajo është dashur që të ketë një strategji politike dhe kombëtare, e jo të heshtë, apo të gënjejë siç ndodhi në vitin jubilar, kur lideri i Shqipërisë mëmë u premtoi të gjithë shqiptarëve se do ta kenë pasaportën shqiptare, madje se do ta kemi edhe Shqipërinë e bashkuar.


Përkundër asaj që është dashur të bënte Shqipëria mëmë, kjo, apo politika e saj e mjerë, ka rënë në kurthin e liderizmit, apo edhe të mafisë shtetërore e cila përpos gënjeshtrave, mashtrimeve dhe herë-herë tradhtive të kohërave të ndryshme deri më sot. Politika e saj, e Shqipërisë, tradhtoi një pjesë të kombit. Si një nga frutat e kësaj tradhtie mund të jetë vet liderizmi i Shqipërisë, i cili shtetin e bëri si pronë private të tyre, e sidomos kur është fjala për luftës e UÇK-së. Kjo politikë mjerane sikur ra në përkrahje të politikës Serbe: UÇK-në e quajtën me lloj-lloj epitete më të ultë dhe burgosi ca djem martirë, që sot janë dëshmorë apo heronj të kombit. Ndër ta ishte edhe legjenda e kombit Adem Jashari, Zahir Pajaziti etj. që përjetuan politikën e ndjekjes nga vetë politika shqiptare, e cila sot sikur i ka harruar ato maskarallëqe dhe i përkulet sa për sy e faqe legjendës Jashari.

Mbase rruga e tyre e turpit shkoi deri atje kur e furnizoi armikun e kombit me derivate të naftës. Madje deshi t’ia shiste një pjesë të detit shqiptar Greqisë fashiste e cila ende dhunshëm mban të pushtuar ca pjesë të Shqipërisë. Pastaj është lidhshmëria me Serbinë dhe afera e fundit e rrymës, e kushedi edhe sa afera të ligësisë tjera, që nuk dihen, që i ka bërë ky liderizëm i Shqipërisë së sotme. Në këtë vazhdë është edhe afera e fundit, që është më se qesharake dhe e turpshme: bllokimi i mallit shqiptaro-shqiptar, si ai i qumështit dhe i miellit. Ja çfarë shkruajnë imediat: “Mirëpo duket se ky bllokim i miellit ka ardhur pasi që autoritetet kosovare kanë nxjerr nga shitja qumështin me origjinë nga Shqipëria, pasi që është konstatuar se qumështi tejkalon përmasat e lejuara të alfatoksinës”.

Të gjitha këto marifetllëqe të liga na lënë të kuptojmë se liderizmi i Shqipërisë së sotme është vënë në kurthin e mafisë dhe fare nuk i intereson fati i kombit, i asaj gjysmë Shqipërie që është e administruar nga vetë shqiptarët.

Në pjesën tjetër të Shqipërisë, në Kosovë, sikur harrohet se ka pasur luftë, gjenocid, me një fjalë shfarosje e një populli etnik. Këtu ende plagët janë të hapura; nënat, të afërmit e të humburve presin eshtrat t’ju kthehen në gjirin e tyre, apo dheun e lindjes. Sikur kanë harruar se ende vuajmë nga padrejtësitë e Evropës e cila me një politikë të dyshimtë i favorizon agresorët.

Për këtë fajtor është dhe mbetet tërë elita politike shqiptare, e cila që pas lufte e deri më sot kurrë nuk ka folur me një gjuhë të sinqertë dhe të vendosur. Madje, në ditët e sotme kemi të tillë që partinë apo politikën e përdorin për çështje individuale për t’i shprehur interesat private. Kjo është e pranishme thuajse te të gjitha partitë që janë pjesëmarrëse në kuvendin e Kosovës apo të Shqipërisë (cila më shumë, e cila më pakt). Kjo mbase edhe na lë të nënkuptojmë se shfryrjet deri në atë masë jo edukative, në Parlament, bëhen nga deputetët e shitur me një mendjemadhësi se gjoja ai e ka përzemërt çështjen e kombit dhe gjendjen e popullatës e cila po shndërrohet ngadalë në mjerimin migjenian.

Populli po e pëson, ndërsa elita politike dhe vetë politikanët, të cilësdo parti, kanë rënë në kurthin e interesit. Sepse, nga logjika e shëndosh dhe nga matematika e thjesht populli e kupton se brenda natës nuk mund të arrish një pasuri marramendës. Ndërsa, në anën tjetër, arsimi sikur po lulëzon: brenda natës, ata që kanë pasur shkollën e mesme arrijnë të magjistra e doktorë shkence (fjala është për ata që kanë ardhur deri te përfitimi i lekut në mënyrë të paligjshëm).

E, kur ndalemi te pasuria e ministrave apo të zyrtarëve të lartë, të shtetit të ri shqiptar – Kosovë – sipas një informate të agjencionit (anti)korrupsion, thuhet se gjatë vitit 2008-2012 prej 300 zyrtarëve, nëntë prej tyre kalojnë miliona euro. Ndërsa, kur flitet për (pa)punësim, shohim sipas këtij agjensioni, si vijon: “Janë identifikuar 869 zyrtarë që ushtrojnë më shumë se një pozitë. Nga ta 670 ushtrojnë dy pozita, 167 ushtrojnë tri funksione, 26 me katër funksione, ndërsa gjashtë zyrtarë kanë nga pesë funksione në vendin tonë.

Sipas kësaj matematike, del se 1006 vetave ua kanë marr kafshatën nga goja mijëra të tjerëve; i kanë lënë të bredhin rrugëve, të mendojnë për largimin e tyre nga atdheu.

Ky mjerim i politikës ditore po e fut me dëshirë apo pa të edhe një pjesë të popullit të korruptohet, qoftë për punësim, mjekësi, apo për ta përfunduar një punë të domosdoshme (që pa futjen e dorës në xhep ajo nuk mbarohet).

Sa i përket ecurisë politike, sikur shumë jemi mbështetur tek evropianët dhe kemi humbur besimin tek vetvetja. Ja çfarë thonë: “Sidomos gjatë takimeve të fundit është thënë se BE qëllimisht nuk ka bërë të njohur asgjë, në mënyrë që të mos krijohen tensione midis palëve, për zgjidhjen e cila do të jetë një kompromis i dhimbshëm si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë”. Madje, me 2 prill në rundin e tetë nuk u arrit as një marrëveshje, e për këtë Kryeministri Thaçi tha: “Pavarësisht nga vështirësitë aktuale, procesin nuk mund ta shpallim si të përmbyllur apo dështuar. Shpresojmë që Serbia do të reflektojë të pranoj realitetin, e me këtë edhe marrëveshjen”.

Kjo lojë dhe mos njohje sa duhet e politikës serbe na bënë të qeshim me politikanët tanë. Evropianët janë mësuar të bëjnë kompromise në dëm të shqiptarëve dhe ata për këtë fare nuk qajnë kokë, por mundohen që të shtihen si e duan shtetin e Kosovës. Kjo është vetëm për interesa të tyre të shëmtuara e asgjë më shumë. Ja se çfarë thotë tjetër kryeministri: “Mbrëmë vonë ka përfunduar edhe raundi i tetë i takimeve, të udhëhequra nga baronesha Ashton, për çka dëshiroj të falënderoj baroneshën Ashton për udhëheqjen brilante të këtij procesi. Dua të falënderojë SHBA-të për garancën që kanë prezantuar në këtë proces. Në të njëjtën kohë dua të falënderoj të gjitha vendet e Bashkimit Evropian për mbështetjen dhe qëndrimin e tyre unik në përpjekjet e baroneshës Ashton për të gjetur një zgjidhje për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Dëshiroj të falënderoj edhe NATO-n për mbështetjen dhe të EULEX-it për mbështetjen në këtë proces”.

Dikur të njëjtat fjalë i kishte edhe lideri i pacifizmit, ndonëse ai të parën e kishte papën e Romës dhe të tjerët, ndërsa modeli i tij, Thaçi, sikur ka përparuar më tepër në politik, por dhe jo të jetë politikan i popullit ashtu siç duhet të jetë.

Duke e njohur kryeministrin më shumë se 20 vite, e më shumë për vitet e lavdisë dhe të krenarisë, për një djalë që ia kishte premtuar atdheut edhe jetën, për një djalë që kishte bërë veprimtari atdhetare, sot sikur të gjitha këto kanë rënë në ndikimin e çuditshëm, e kjo na bënë të mendojmë se karrierizmi ia ka thyer shpirtin dhe mendjen, apo të paktën këto emocione na dalin në skenë.

Për këtë i nderuari kryeministër, a nuk duhet t’ia themi evropianeve qartë se ju ishit ata që na e copëtuat dhe ju e keni për obligim ta rregulloni gabimin tuaj të shëmtuar? Këta athua sikur po sillen me një zemërgjerësi, kurse zemërgjerësia e tyre në anën tjetër shkon aq lart që prekë interesin vital të Kosovës më qëllim që të mos hatërohet Serbia? Me këtë zemërgjerësi të dyanshme të evropianëve po u shkaktohen dëme shqiptarëve. Ata prapë po luajnë me karta hapur, e thikë përmes interesit dhe trojeve shqiptare, duke e cunguar prapë edhe këtë gjysmë Kosovën e sotme. Ndërsa, kush nuk e vret fare mendjen për Kosovën Lindore, që edhe kjo të jetë në gjirin e tokës mëmë, sepse edhe e tillë ka qenë. Për këtë duhet t’u afrohen të huajve dokumente të shkruara me fakte.

I ashtuquajturi Asociacioni i komunave për veriun do ta legjitimojë praninë e Serbisë që të ketë ndikim mbi këto Komuna. Por, sipas Thaçit: “Asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk do të ketë kompetenca ekzekutive apo legjislative dhe nuk do të jetë ndonjë pushtet i tretë. Të njëjtën kohë, sistemi i drejtësisë do të jetë unik, sipas ligjeve kosovare në gjithë territorin e republikës. Kosova do të ketë një sistem policor dhe një zinxhir komandues”.

Kjo e drejtë a nuk u takuaka shqiptarëve të Kosovës Lindore?

Për këtë çështje, thotë Adem Demaçi: “Fajtor kryesor për këtë katandisje të Kosovës, është klasa politike e vendit e cila e ka pranuar planin e Ahtisarit, nga ku burojnë të gjitha të ligat për të ardhmen e shtetit të Kosovës”.

Për fund, të ndërgjegjësohemi dhe ta luftojmë të keqën, sepse nuk do të na mërziste Beogradi a na pranon a po ju, apo çka thonë të tjerët. Nëse ne e duam atdheun dhe popullin, së pari ta flakim nga veprimi dhe mendja fjalën korrupsion, hajni; së dyti, të kemi një ndërgjegjësim në shëndetësi, arsimim dhe ekonomi; së treti, të krijojmë një besim dhe siguri në vend; së katërti, të dëshmohet bota se ne kemi fuqi, mendje dhe dituri ta drejtojmë shtetin… E madje me të gjitha këto të arritura t’i themi Evropës që ta përmirësojë gabimin e tyre të mallkuar se përndryshe ka edhe rrugë tjera.

Për këtë duhet të angazhohet e tërë elita intelektuale, që nga Akademia e deri te mësuesit. Mos t’i vihen pyka njëri-tjetrit, se jemi bërë përrallë, që nga Parlamenti e deri te zyrtarët qeveritar, Komunal etj.

Të mos lejohet prapë trysni nga shtetet tjera që për interesat e tyre ta bëjnë prapë paçavure Shqipërinë tonë. As të mos lejohen zëra të mekur për ndryshimin e gjuhës, kulturës dhe madje as të historisë, siç po pretendohet nga Turqia e cila në vend se t’i kërkojë falje popullit shqiptar, ajo kërkon që ta ndryshojmë historinë. Apo, nga evropianët, të cilët në vend se të angazhohen për rregullimin e gabimit të tyre, sikur nga ne kërkojnë prapë të bëjmë kompromise në dëm të shqiptarëve e të territoreve tona.