Plenkoviq thotë se në disa shtete të Ballkanit, i pranishëm ndikimi rus

Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq, ka folur për situatën e sigurisë dhe atë politike në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Plenkoviqka thënë se situata që mbretëron aktualisht në rajon, duhet të diskutohet në mbledhjen e radhës të Këshillit Evropian,
Ndërsa shtetet po shqyrtojnë zgjerimin e Bashkimit Evropian me shtete të reja, përfshirë Ukrainën, Andrej Plenkoviq e vlerëson këtë "vullnet të ri politik brenda BE-së".
Kroacia është shteti i fundit që iu bashkua në vitin 2013 dhe synon të jetë një urë mes BE-së dhe shteteve kandidate të Ballkanit.
"Vendet e Evropës Juglindore janë në vijën e parë për t'u futur në BE. Ne i mbështesim të gjitha, veçanërisht Bosnjë-Hercegovinën, ku kroatët përfaqësojnë një pjesë të popullsisë bashkë me serbët dhe boshnjakët.Të gjithë fqinjët tanë, miqtë tanë, duhet të plotësojnë kriteret e anëtarësimit", thekson ai për France24, transmeton RTK.
Në momentin kur disa shtete të Ballkanit shoqërohen me protesta të mëdha dhe kur ndikimi rus është i pranishëm, Andrej Plenkoviq thekson nevojën për "të diskutuar situatën në Ballkanin Perëndimor në Këshillin e ardhshëm të BE-së".
Ai përmend Bosnjë-Hercegovinën, Serbinë, Kosovën, Malin e Zi, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, të cilat, sipas tij, "janë të gatshme të përshpejtojnë integrimin e tyre në BE". Sidoqoftë, ai bën thirrje për kujdes.
"Ekziston një situatë politike dhe tensione për të cilat Evropa duhet të kujdeset fillimisht. Duhet vepruar për stabilitetin, duke mbështetur forcat politike që janë për stabilitetin dhe integrimin evropian”, tha ai.
















































