Tre persona (dy serbë dhe një shqiptar) kanë marrë lëndime trupore nga të shtënat me armë zjarri të martën rreth orës 00:18 në rrugën “Luan Haradinaj”, nё një lokal në Deçan.

Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës, Fadil Gashi.


Sipas tij, dy të lënduarit (një serb dhe një shqiptar) janë duke u trajtuar në QKUK, ndërsa personi i tretë (komuniteti serb) është duke u trajtuar në Spitalin e Pejës për shkak të lëndimeve të marra.

“Në orët e para të mëngjesit rreth orës 00:18, Policia e Deçanit është njoftuar për të shtëna me armë zjarri në një lokal. Lidhur me këtë njësitet kanë dal menjëherë në vend të ngjarjes dhe kanë vërejtur tre persona të plagosur, një i komunitetit shqiptar e dy serbë. Dy nga të plagosurit (një shqiptar dhe një serb) po trajtohen në QKUK ndërsa i treti (serb) po trajtohet në Spitalin e Pejës për shkak të lëndimeve të marra”, ka thënë Gashi.

I pyetur nëse dihen motivet e këtij rasti, Gashi tha se njësitet policore po punojnë në këtë drejtim për zbardhjen e këtyre rrethanave.

Gashi tha se personi i dyshuar është arrestuar në vendin e ngjarjes dhe tek i njëjti janë gjetur dhe sekuestruar: një armë pistoletë Zoraki 9mm; një karikator i së njëjtës armë, nëntë fishekë kal:9mm dhe tri gëzhoja.

I dyshuari pas intervistimit nga hetuesit, me vendim të prokurorit të shtetit është dërguar në mbajtje pёr 48 orë. /Telegrafi/