Pilotët e “Shqiponjave të Kastriotit” nga Obiliqi ndër më të mirët në botë në Kampionatin e Paraglajdit

Kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, ka pritur sot në takim pilotët e Klubit Aeronautik “Shqiponjat e Kastriotit”, të cilët kanë përfaqësuar me krenari Kosovën në Kampionatin Botëror të Paraglajdit.
Në këtë garë prestigjioze morën pjesë 140 pilotë nga 39 shtete të ndryshme, ndërsa sportistët nga Obiliqi arritën rezultate të jashtëzakonshme, përcjell Telegrafi.
Fanol Shala u rendit në mesin e top 10 pilotëve më të mirë në botë, duke zënë vendin e nëntë, ndërsa Migjen Shala përfundoi garën në vendin e trembëdhjetë.
Në kategorinë e femrave, Lisjeta Thaqi u rendit e treta në botë, duke dëshmuar performancë të shkëlqyer dhe profesionalizëm të lartë. Po ashtu, Lejla Boshnjaku ishte e vetmja gjyqtare nga Kosova që mori pjesë në këtë kampionat ndërkombëtar.
Kryetari Gashi vlerësoi lart këto arritje, duke theksuar se me këto rezultate, Klubi Aeronautik “Shqiponjat e Kastriotit” renditet me tre pilotë në mesin e 20 më të mirëve në botë.
Ai tha se këto suksese janë një nder i madh për qytetin e Obiliqit dhe për gjithë Kosovën, duke shtuar se komuna do të vazhdojë të mbështesë talentet sportive që përfaqësojnë vendin me dinjitet në arenën ndërkombëtare. /Telegrafi/



















































