Përveç suksesit sportiv, Shkëndija ka fituar të paktën pesë milionë euro

Kuqezinjtë nga Tetova shënuan fitore të madhe edhe në ndeshjen e kthimit ndaj FCSB-së në Bukuresht, duke kaluar në raundin e tretë të kualifikimeve për Ligën e Kampionëve, njofton Telegrafi.
Ky sukses historik u siguron atyre të paktën pjesëmarrjen në grupet e Ligës së Konferencës, një arritje e paprecedent për futbollin e Maqedonisë së Veriut.
Përveç suksesit sportiv, ky kualifikim do të sjellë në arkën e klubit shumën më të madhe ndonjëherë të fituar nga një ekip nga Maqedonia nga UEFA – të paktën pesë milionë euro, ndërsa kjo shumë mund të rritet ndjeshëm në varësi të rrugëtimit të mëtejshëm të ekipit.
Në raundin e tretë të Ligës së Kampionëve, Shkëndija do të përballet me Qarabagun nga Azerbajxhani. Nëse arrin ta eliminojë këtë kundërshtar, atëherë kuqezinjtë do të luajnë në “play-off”-in për grupet e Ligës së Kampionëve. Në rast eliminimi, ata zhvendosen në “play-off”-in e Ligës së Evropës. Edhe nëse nuk kalojnë më tej as aty, Shkëndija tashmë e ka të garantuar pjesëmarrjen në grupet e Ligës së Konferencës.
Shkëndija tashmë është emër i konfirmuar në hartën evropiane të futbollit – dhe ky është vetëm fillimi. /Telegrafi/



































