LAJMI I FUNDIT:

Përplasje e madhe shpërtheu ndërmjet dy fraksioneve rivale në pallatin presidencial në Kabul, të përfshirë edhe udhëheqësit talebanë

Përplasje e madhe shpërtheu ndërmjet dy fraksioneve rivale në pallatin presidencial në Kabul, të përfshirë edhe udhëheqësit talebanë

Një përplasje e madhe shpërtheu midis udhëheqësve të talebanëve vetëm disa ditë pasi ata krijuan një qeveri të re në Afganistan, thanë zyrtarë të lartë talebanë për BBC.

Sipas mediumit britanik, përcjell Telegrafi, mbështetësit e dy fraksioneve rivale thuhet se janë grindur në pallatin presidencial në kryeqytetin Kabul.

Përplasja dukej se përqendrohej në atë që bëri më shumë për të siguruar fitoren ndaj SHBA-së dhe si u nda pushteti në kabinetin e ri.


Sidoqoftë, vë në pah BBC, talebanët i kanë mohuar zyrtarisht raportet.

Grupi mori kontrollin mbi Afganistanin muajin e kaluar, dhe që atëherë e kanë shpallur vendin një “Emirat Islamik”.

Kabineti i tyre i ri i përkohshëm është tërësisht i përbërë nga meshkuj dhe përbëhet nga figura të larta talebane, disa prej të cilëve janë të njohur për sulmet ndaj forcave amerikane gjatë dy dekadave të fundit.

Mosmarrëveshja doli në dritë pasi një bashkëthemelues i talebanëve, Mullah Abdul Ghani Baradar, u zhduk nga sytë për disa ditë.

Një burim taleban i tha BBC se Baradar dhe Khalil ur -Rahman Haqqani – ministër për refugjatët dhe një figurë e shquar brenda rrjetit militant Haqqani – kishin shkëmbyer fjalë të forta, pasi ndjekësit e tyre u grindën me njëri-tjetrin aty pranë.

Një anëtar i lartë i talebanëve me bazë në Katar dhe një person i lidhur me ata të përfshirë gjithashtu konfirmuan se një grindje kishte ndodhur në fund të javës së kaluar.

Burimet kanë bërë të ditur se përplasja kishte shpërthyer sepse Baradar, zëvendëskryeministri i ri, ishte i pakënaqur me strukturën e qeverisë së tyre të përkohshme.

Mosmarrëveshja gjithashtu thuhet se buronte nga përçarjet se kush nga talebanët duhet të merrte merita për fitoren e tyre në Afganistan.

Baradar thuhet se beson se theksi duhet të vendoset në diplomacinë e kryer nga njerëz si ai, ndërsa anëtarët e grupit Haqqani – i cili drejtohet nga një prej figurave më të larta talebane – dhe mbështetësit e tyre thonë se kjo është arritur përmes luftimeve.

Ndryshe, Baradar ishte lideri i parë taleban që komunikoi drejtpërdrejt me një president amerikan, duke pasur një bisedë telefonike me Donald Trump në vitin 2020. Para kësaj, ai nënshkroi marrëveshjen e Dohas për tërheqjen e trupave amerikane.

Ndërkohë, rrjeti i fuqishëm Haqqani është i lidhur me disa nga sulmet më të dhunshme që kanë ndodhur në Afganistan kundër forcave afgane dhe aleatëve të tyre perëndimorë vitet e fundit. Grupi është përcaktuar nga SHBA si një organizatë terroriste.

Udhëheqësi i saj, Sirajuddin Haqqani, është ministri i brendshëm në qeverinë e re.

Siç vë në pah BBC, përcjell Telegrafi, thashethemet për një përplasje janë përhapur që nga fundi i javës së kaluar, kur Baradar – një nga fytyrat më të njohura të talebanëve – u zhduk nga sytë e publikut.

Kishte spekulime në mediat sociale se ai mund të kishte vdekur.

Burimet talebane i thanë BBC-së se Baradar ishte larguar nga Kabuli dhe kishte udhëtuar për në qytetin e Kandahar pas grindjes.

Në një regjistrim audio të supozuar të zotit Baradar të publikuar të hënën, bashkëthemeluesi taleban tha se ai kishte qenë “larg në udhëtime”.

“Kudo që të jem për momentin, të gjithë jemi mirë”, citohet të ketë thënë ai.

BBC thotë se nuk ishte në gjendje të verifikonte regjistrimin, i cili u postua në një numër faqesh zyrtare të talebanëve.

Talebanët kanë pohuar se nuk kishte asnjë përplasje dhe se Baradar është i sigurt, por kanë lëshuar deklarata kontradiktore mbi atë që ai po bën aktualisht.

Një zëdhënës tha se Baradar kishte shkuar në Kandahar për të takuar udhëheqësin suprem të talebanëve, por më vonë i tha BBC Pashto se ai ishte “i lodhur dhe donte pak pushim”.

Sidoqoftë, vazhdojnë spekulimet mbi komandantin suprem të talebanëve, Hibatullah Akhundzada, i cili nuk është parë kurrë në publik.

Ai është përgjegjës për çështjet politike, ushtarake dhe fetare të talebanëve.

Ndryshe, ministri i jashtëm i Afganistanit u bëri thirrje të martën donatorëve ndërkombëtarë që të rinisin ndihmën, duke thënë se bashkësia ndërkombëtare nuk duhet të politizojë ndihmën e tyre.

Më shumë se 1 miliard dollarë ndihmë u premtuan për vendin të hënën, pas paralajmërimeve të Kombeve të Bashkuara për një “katastrofë të afërt”. /Telegrafi/

Në trend Botë

Më shumë
Putin i premtoi Trumpit armëpushim në Ukrainë, por Rusia sulmon ashpër Odesën

Putin i premtoi Trumpit armëpushim në Ukrainë, por Rusia sulmon ashpër Odesën

Evropa
Trump nënshkruan vendimin për shuarjen e Departamentit të Arsimit

Trump nënshkruan vendimin për shuarjen e Departamentit të Arsimit

Amerika
Udhëheqësit e BE-së, përveç njërit, kundërshtojnë kërkesën e Putinit për të ndaluar ndihmën ushtarake për Ukrainën

Udhëheqësit e BE-së, përveç njërit, kundërshtojnë kërkesën e Putinit për të ndaluar ndihmën ushtarake për Ukrainën

Botë
Droni ukrainas me fibra optike fluturon në një tub ku fshihen ushtarët rusë

Droni ukrainas me fibra optike fluturon në një tub ku fshihen ushtarët rusë

Evropa
Trump hap “një front të ri”, SHBA refuzon kërkesën për ujë të Meksikës

Trump hap “një front të ri”, SHBA refuzon kërkesën për ujë të Meksikës

Botë
Të gjitha vendet e BE-së konfirmojnë mbështetjen për kufijtë e Ukrainës – përveç njërit

Të gjitha vendet e BE-së konfirmojnë mbështetjen për kufijtë e Ukrainës – përveç njërit

Botë
Kalo në kategori