LAJMI I FUNDIT:

Përmbledhje e seancës për rrahjen mes deputetëve të PDK-së e VV-së (Video)

Përmbledhje e seancës për rrahjen mes deputetëve të PDK-së e VV-së (Video)

Pritej që pas gati katër vjetësh prej kur kishte ndodhur rrahja ndërmjet deputetëve të Vetëvendosjes dhe njërit nga PDK-ja, drejtësia ta thotë fjalën e saj, raporton KTV.

Megjithatë, gjyqtari Vesel Ismajli, në vend të aktgjykimit, ka vendosur që ta rihapë shqyrtimin gjyqësor, për ta dëgjuar ekspertin e mjekësisë ligjore, Arsim Gërxhaliu.


Këtë veprim, gjyqtari Ismajli e ka ndërmarrë pasi që sipas tij, raporti i Gërxhaliut, i kontestuar edhe më herët nga të akuzuarit, nuk përputhej me raportin e mjekut të qendrës së emergjencës, doktorit, Avdush Bajgora.

Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, me të përfunduar fjalën gjyqtari Ismajli, me buzëqeshje në fytyrë, ka lëshuar gjykatoren.

Në këtë seancë, megjithëse prezenca nuk është obligative, nuk janë parë as prokurorja Shenaj Berisha, e as të akuzuarit Ymeri, Selimi e Bujupi.

Rasti, për çka tashmë kryetari i Vetëvendosjes, Visar Ymeri, deputeti Rexhep Selimi dhe Besart Bujupi, akuzohen për shkaktim të lëndimit të lehtë trupor ndaj deputetit Bekim Haxhiu, i njohur si Kamishi, ka ndodhur në hapësirat e Kuvendit të Kosovës, më 28 qershor të vitit 2012.

Në mesin e të akuzuarve, është edhe ish-deputeti Florin Krasniqi, megjithatë në seancën e kaluar, procedura ndaj tij është ndarë, pasi që ai është jashtë vendit, e seanca e ardhshme, është caktuar për 20 prill.