LAJMI I FUNDIT:

Perimet – vitamina për të përballuar të ftohtin

Perimet – vitamina për të përballuar të ftohtin

Perimet zënë një vend të rëndësishëm në dietën ushqimore të njeriut, pasi janë të pasura me vitamina e kripëra minerale dhe ndihmojnë në tretjen e ushqimeve. Ato janë burimi kryesor i vitaminës C dhe E, acideve organike, kripërave minerale e lëndëve që u japin atyre shije të këndshme.

Kripërat minerale që ato përmbajnë, sikurse janë kripërat e kalciumit, fosforit dhe hekurit, janë të domosdoshme për veprimtarinë jetësore, ndërsa lëndët që i japin shijen, ngjyrën dhe aromën, nxisin oreksin dhe ndihmojnë në përvetësimin e proteinave të mishit e peshkut.

Po ashtu, celuloza që ato kanë ndihmon në pastrimin e stomakut, zorrëve dhe nxjerrjen jashtë të lëndëve të dëmshme për organizmin, si kolesterinën e tepërt dhe produktet e tjera jo të shëndetshme. Për të gjitha cilësitë dhe vlerat e mira që kanë perimet, duhet të konsumohen çdo ditë në mënyra dhe sasi të ndryshme.

Për më tepër, kërkimet e reja tregojnë se përfshirja e rregullt e perimeve në dietën ushqimore mund të ndihmojë në parandalimin e shumë sëmundjeve dhe kjo për arsye se këto ushqime janë të pasura me vitaminë E dhe C.

Por në studimin e botuar këto ditë në revistën e shoqatës amerikane të mjekësisë, jepen të dhënat më të qarta të një lidhjeje midis këtyre vitaminave dhe shumë sëmundjeve të ashtuquajtura dimërore. Studimi u krye për të parë në se marrja e ushqimeve antioksiduese mund të pakësojë rrezikun e prekjes nga to.

Perimet kryesojnë listën e ushqimeve "mbrojtëse": Sipas studimeve të shumta të kryera deri më sot, përfundimisht janë konsideruar si ushqime shumë të shëndetshme dhe me veti mbrojtëse në organizëm: lakra, domatja, brokoli, kungulli, fasulja jeshile, karota, jeshillëqet, agrumet, hudhra, qepa, selinoja, bizelja, speci, patatja, sallatori, majdanozi dhe erëzat e aromatiket. Pastaj fasulja, manaferra, veza, pjepri, shalqiri, boronica, gështenja dhe portokalli. Dhe për të përfunduar, çaji, kosi, frutat e detit, molusqet, peshqit dhe vaji i ullirit. /shqip/