LAJMI I FUNDIT:

Përgjegjësia politike, ç’është kjo?

Në shtetet e përparuara, në kontekste të ndryshme, njihet dhe kryesisht aplikohet përgjegjësia disiplinore, materiale, kundravajtëse, administrative, civile, penale madje edhe ajo politike…!

Përderisa, tipet e ndryshme të përgjegjësive , pos asaj politike ( sic) edhe në vendin tonë, njifen dhe, deri në një masë, përfillen!


Përgjegjësia politike: Eng.: “Political Responsibility”, Fr.: “Responsibilite Politique”, Gjer.: “Politische Verantwortung” , është raport specifik ndërmjet funksionarëve të zgjedhur apo të emëruar, organeve dhe institucioneve politike, në një anë dhe, zgjedhësve dhe emëruesve si dhe formuesve të tyre, në anën tjetër.

Përgjegjësia politike , në relacionin politik ndërmjet mandatarëve dhe të të mandatuarëve politikë, në radhë të parë, u referohet funksionarëve, organeve, forumeve dhe përgjithësisht institucioneve të zgjedhura, të emëruara, të formuara për ushtrimin e funksioneve politike, si debitorë, përballë zgjedhësve, emëruesve, formuesve, si kreditorë të tyre.

Përgjegjësia politike është “ relacioni dhe pozita debitore” e funksionarëve të zgjedhur apo të emëruara dhe, e entiteteve politike të formuara përkitazi me punën dhe aktivitetet politike (in)efikase përballë: “kreditorëve” qe, ata /o , i kanë zgjedhur, emëruar apo krijuar dhe, përgjithësisht, ndaj atyre, në emrin dhe interesin e të të cilëve, funksionojnë politikisht.

Në gamën e institutit juridik të përgjegjësisë politike, fillimisht konsistojnë premtimet publike, si oferta për të fituar mandate politike, e rrjedhimisht punët dhe aktivitetet politike në (ç)përputhje me ofertat politike tok me aktivitetet dhe aktet politike të miratuara të (pa)sendertuara gjatë funksionimit politik.

Referuar politikave, aktiviteteve dhe akteve politike gjatë mandateve politike , thekse të veçanta i adresohen (pa)përshtatshmërisë tok me ofertat (programet) politike si dhe (in)efikasiteteve politike të tyre.

Gjithsesi, tonin përmbajtjesor, përgjegjësisë politike, do të duhej t’ia jepte premisa e moralitetit dhe e legalitetit; madje, edhe kur do të realizoheshin premtimet politike publike, si ofertë për besimin e mandatit politik, por në kundërshtim me parimin e moralitetit dhe të legalitetit. Titullarët respektivë të funksioneve politike, në raste të tilla, kurrsesi dhe assesi, nuk do të mund të amnistoheshin as të absolvoheshin nga përgjegjësia politike!. Epilogu i tillë në praktikat politike kosovare, pothuaj se nuk njihet! Premtimet megalomane publike në fushata zgjedhore, kandidatëve për funksione publike ju shërbejnë vetëm për përfitime të votave mandatuese e më pastaj, madje edhe haptas, të njëjtit, theksojnë se ato gjëra u përkasin floskulave zgjedhore, e si të tilla nuk paraqitkan obligime për ta!

Gjithsesi, premtimi publik, kudo e kurdo, edhe sipas postulateve elementare të së drejtës civile, e aq më pare dhe më shumë sipas parimit të moralitetit, krijon raport juridik gjithsesi edhe politik, në të cilin krijohen obligime të sanksionuara për premtuesin përkatës. Seandejmi do të duhej të ndjekej në hap (in)koherenca e premtimeve publike dhe shkalla e cilësia e realizimeve të tyre dhe, përshtatshëm, të bëhej vlerësimi për të mire apo për të keq referuar bartësit të funksionit politik. Po ashtu, ky vlerësim, në vendin tonë, pos teorikisht, në praktikë, pothuaj se nuk njihet! Ndaj, titullarët politik në vendin tonë, falë pak e krejt pak përjashtimeve, janë aq të papërgjegjshëm dhe arbitrar!

Përgjegjësia politike nuk e paragjykon (mos)ekzistimin e përgjegjësisë disiplinore, materiale, morale, civile, administrative, as atë penale; përkundrazi, përgjegjësia politike do të duhej të ishte komplementare me cilën do formë të përgjegjësisë juridike respektive.

Përcaktimi dhe realizimi i përgjegjësisë politike, varet nga sistemi politik e kushtetutar dhe nga rendi juridik i shtetit të caktuar; po ashtu, në cilin do shtet bashkëkohor demokrat, përgjegjësia politike determinohet normativisht e realizohet praktikisht në kontekstin e tipit të tij, si demokrat apo autokrat, monokrat apo republikan, monopartiak apo polipartiak dhe, përgjithësisht, nga (mos)ekzistimi i shtetit të së drejtës (jo i “shtetit juridik” , sepse shteti i tillë mund të jetë autocrat dhe antidemocrat…) , me rend juridik të plotë, të harmonizuar qe ka institucione efikase për implementimin e tij me konsekuencë dhe konsistencë.

Pak mund të zhvillohej diskurs praktik për përgjegjësinë politike, përderisa, ajo, paraprakisht nuk do të ishte e definuar plotë e qartë me akte juridike të përgjithshme të subjekteve politike, dhe si e tillë, e sanksionuar përkatësisht. Rrjedhimisht, do të duhej të normohej plotë e qartë edhe procedura e realizimit të përgjegjësisë politike në të gjitha rastet e nivelet. Pikërisht për këtë, do të duhej që, me Ligjin për Përgjegjësinë Politike (qe nuk e kemi-sic) , të obligoheshin subjektet dhe të gjitha institucionet politike për ta sanksionuar juridikisht (me programe politike, statute dhe akte të organizimit të brendshëm) përgjegjësinë politike tok me procedurat e saj. Mëpastaj do mbetej që në saje të vullnetit politik të mirë dhe të mjaftueshëm, të sigurohej aplikimi konkret i përgjegjësisë politike, varësisht nga rrethanat konkrete, nis nga qortimi, vërejtja publike, revokimi dhe shkarkimi nga pozicioni dhe funksioni publik e politik.